Bashkimi Europian arriti një marrëveshje të re me Pfizer dhe BioNTech për blerjen e 300 milionë dozave të tjera të vaksinës së tyre për Covid-19. Njoftimi erdhi nga shefja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen. Kjo do t’i sigurojë bllokut me 27 vende anëtare rreth gjysmën e prodhimit total të kompanive për vitin 2021, që do të jetë 1.3 miliardë doza.

“Aktualisht, kemi akses në 300 milionë doza të vaksinës së Pfizer-Biontech. Tani, lajmi i mirë është se ne u dakorduam që ta zgjasnim kontratën. Me marrëveshjen e re ne siguruam dhe 300 milionë doza të tjera shtesë të vaksinës së Pfizer-Biontech”.

Sipas presidentes së Komisionit Europian, 2.3 miliardë dozat e vaksinave të siguruara nga Bashkimi Evropian do të shpërndahen edhe në vendet fqinje përpos Bllokut.

“Tani kemi qasje në 600 milionë doza të vaksinës BioNTech /Pfizer, dyfishi i sasisë fillestare, që do të rrisë vaksinimin në të gjithë Europën.

Ne kemi siguruar 2.3 miliardë doza të vaksinave më premtuese për Covid-19 për Europën dhe vendet tona fqinje”.

Ujdia u mundëson qeverive të BE-së të porosisin doza të reja duke nisur nga prilli, shtoi Von der Leyen, ndërsa vendet anëtare tentojnë të përshpejtojnë vaksinimin e 450 milionë banorëve të tyre. Çdo person që merr vaksinën e Pfizer-Biontech ka nevojë për dy doza në mënyrë që të zhvillojë mbrojtje maksimale.

Presidentja e Komisionit Europian sqaroi dhe një marrëveshje që Gjermania ka arritur për sigurimin e 30 milionë dozave.

“Të gjithë kemi rënë dakord, në një akord ligjërisht të detyrueshëm, që të mos kemi negociata paralele dhe kontakte paralele, kështu që korniza me të cilën po punojmë përfshin 27 vendet. Së bashku po negociojmë, blejmë dhe çojmë përpara këtë proces vaksinimi”.

Bashkimi Europian ndan dozat për shtetet anëtare në proporcion me popullatën e tyre. Agjencia e Barnave aprovoi së fundmi edhe vaksinën e zhvilluar nga kompania amerikane Moderna, e cila do të jetë një armë më shumë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit.