Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) vendosi në mes të dhjetorit, që t’i jepte statusin e investitorit strategjik projektit “Green Coast”, për një vlerë investimi 125.4 milionë euro.

Projekti është vazhdim i atij ekzistues në zonën e Palasës, që është trajtuar në 2016 me po të njëjtin status, për një vlerë investimi 52.5 milionë euro dhe është finalizuar me një numër të konsiderueshëm vilash turistike.

Dosja e kësaj here, dorëzuar në KIS, parashikon një vlerë investimi më të madh, që lidhet me ndërtimin e një strukture akomoduese me 5 yje. Sipas dokumenteve, projekti plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Gjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i të punësuarve parashikohet të jetë 800 persona.

“Vlera e investimit të projektit “Green Coast” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 125,400,000 (një qind e njëzet e pesë mijë e katërqind milion) euro.

Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli të standardit 5 yje dhe kompleks turistik “Green Coast”, në një sipërfaqe prej 217.659 m² dhe sipërfaqe ndërtimi 73.138 m², si dhe një hotel të standardit 5 yje “White Sensation”, me sipërfaqe trualli 10.600 m² dhe sipërfaqe ndërtimi 8.175 m², në Dhrale, Vlorë. Projekti “Green Coast” ka përfituar status strategjik me Vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike Nr.2/13, datë 14/07/2016, me afat 4 (katër) vjeçar.

Subjekti është pajisur me Leje Zhvillimore Komplekse Nr. Prot 2385/2 datë 27.04.2015, lëshuar sipas Vendimit Nr.8, datë 07.03.2014, miratuar nga KKT, e përditësuar me Lejen e Ndërtimit sipas Vendimit Nr.13. datë 12.04.2017, për “Rishikimin e kushteve të lejes ekzistuese dhe shtesë në sipërfaqe të Resortit Turistik “Green Coast”, me adresë në Palasë, Bashkia e Himarës”, miratuar nga KKT – thuhet në vendimin e KIS.

Në të njëjtën mbledhje, ky i fundit ka miratuar edhe shtyrjen e afatit të statusit për investimin që po bëhet në zonën e Gjirit të Lalëzit nga Concord Investment. Resorti “San Pietro” që po zbatohet prej disa vitesh, ka edhe një hotel me 5 yje që do të menaxhohet nga grupi spanjoll “Melia”.

Sipërfaqja e ndërtimit ku po zhvillohet projekti është 140.000 m², i cili shtrihet në një truall me sipërfaqe totale 334.827 m². Projekti është i ndarë në dy hapësira të mëdha: hoteleri me 5 yje, me 500 dhoma dhe fshat turistik e ambiente shërbimi.

KIS vendosi që afati të shtyhet për dy vite dhe gjatë kësaj kohe investitori zhvillues të përfitojë lehtësi që lidhen me kryerjen e procedurave me përparësi, dhënien e asistencës dhe lejeve në një kohë të shpejtë, masa mbështetëse për të drejtën e përdorimit të brigjeve.

Rrëzohet projekti 15 milionë euro në Qerret

Komiteti i Investimeve Strategjike mori në analizë edhe dy projekte të tjera të lidhura me turizmin. Sipas dosjeve, i pari ishte ai për “Beryl Resort” me subjekt aplikues ”Vortek” sh.p.k dhe “Best duty free” sh.p.k.

“Projekti konsiston në ndërtimin e një Hoteli me 4 Yje plus dhe njësive akomoduese vila e apartamente, së bashku me disa ambiente shërbimi si bare dhe restorante, SPA, akademi sportive kanotazhi, mjedise sportive, çlodhëse dhe rekreacioni në një sipërfaqe prej afërsisht 10.000 m² në Fshatin Qerret, ZK 3101, Bashkia Kavajë.

Vlera e investimit për këtë projekt parashikohet të jetë 15.519.970 (pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë) Euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 165 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) persona” thuhet në vendimin e KIS.

Ky i fundit e rrëzoi projektin duke argumentuar se “referuar ’Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit’ si dhe dokumenteve të tjerë në fuqi për planifikimin dhe rregullimin e territorit, modeli i propozuar i projektit të investimit “Beryl” nuk përputhet me modelin e miratuar në këto akte për një zhvillim cilësor të industrisë së turizmit në përputhje me treguesit që zonat me përparësi zhvillim turizmi (ZPZHT) parashikojnë.

KIS “hedh poshtë” kërkesën për resort dhe kazino

Një tjetër projekt u paraqit në Komitet për hotel dhe kazino në një zonë afër me Butrintin. KIS njoftoi se “Jonian Heaven”, me subjekt propozues “Jonian Heaven Group sh.p.k” parashikonte të realizonte një kompleks turistik me struktura akomoduese turistike, në ZK. 3831, Vrinë, specifikisht zona e quajtur Shën Koll i Detit, Sarandë, e cila në total ka një sipërfaqe prej afërsisht 128 hektarësh.

“Projekti parashikohet të ketë vlerë investimi prej afërsisht 78 (shtatëdhjetë e tetë) milione euro dhe të krijojë 443 (katërqind e dyzetë e tre) vende të reja pune. Projekti bashkëshoqërohet nga dy letra interesi, përkatësisht, Letër Interesi nga Accor Services Poland për Swiss Hotel, datë 03.02.2020 dhe Letër Interesi nga Holey Entertainment Group Limited për Casino, datë 19.02.2020. Projekti prek pasuritë nr. 1936/5, nr.1936/6, nr.1936/7 në ZK. Nr. 3831, pasuri pjesë e fondit pyjor dhe kullosor. Referuar të dhënave të regjistrit shtetëror kadastral, dy prej këtyre pasurive figurojnë me pronësi shtet dhe privat, në bashkëpronësi të papjesëtuar në natyrë. Pronësia private i përket një sipërfaqeje prej afërsisht 12.2 ha” thuhet në vendim.

I njëjti sqaron se pasuritë që prek projekti shtrihen në dy njësi strukturore. Njësia Strukturore XA.N.297, sistemi-natyror, përdorimi i lejuar: zona ekoturizëm, aktivitete sociale dhe reaktive. Njësia Strukturore XA.N.426, sistemi- natyror, nënkategori “ZPZT”, përdorimi i lejuar: zonë turizmi e integruar (resorte, vila); tipologjia – intensiteti i ndërtimit i ulët dhe maksimumi i lartësisë së strukturave 8 m.

“Kjo zonë kërkon hartim Plani të Detajuar të Zonës së Rëndësisë Kombëtare (PDZRK) pasi sipërfaqja ku propozohet të zhvillohet projekti “Jonian Heaven”, shtrihet brenda zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Butrintit, Zonë Qendrore, shpallur me VKM. 134, datë 20.02.2013 “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar”. Zonë është shpallur edhe “Zonë Ramsar”, si dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Sipas Konventës së Trashëgimisë Botërore, duhet njoftuar gjithashtu Komiteti i Trashëgimisë Botërore për çdo projekt që ndërmerret në zona që mbrohen nga kjo konventë” sqaroi KIS.

Në refuzimin e tij ky institucion argumentoi se projekt-propozimi nuk është i plotë dhe për rrjedhojë e pamundur që të klasifikohet si “projekt me potencial strategjik” e të konsiderohet një projekt i mundshëm investimi me ndikim strategjik për zhvillimin e vendit dhe me interes publik, në kuptim të parashikimeve të VKM Nr. 1024, datë 16.12.2015 “Për miratimin e projekteve me statusin “Projekt me Potencial Strategjik. /N.Maho