Policia e Gjirokastrës ka arritur të lokalizojë grupin e alpinistëve që kishin mbetur të bllokuar në Malin e Morganës, në kufi me Greqinë.

Burime nga policia thanë se forcat “Shqiponja” po ndihmojnë alpinistët që të zbresin poshtë.

Një i ri 17-vjeçar mësohet se ka thyer këmbën. Raportohet se të bllokuarit ishin rreth 20 persona, të ndarë në dy grupe. Ata u bllokuan në nivelin 1200 metra. Disa prej alpinistëve janë prekur nga hipotermia, që shkaktohet nga temperaturat e ulëta.

Të rinjtë janë kryesisht nga Gjirokastra dhe Libohova, të cilët bëjnë shpesh ngjitje në malet e jugut të Shqipërisë.