Puna në institucionet kryesore të drejtësisë është paralizuar prej vitesh për shkak të një reforme që po zgjatet përtej çdo parashikimi.

Ministria e Drejtësisë, në një analizë të posaçme për monitorimin e treguesve të reformës, raportoi se gjatë janar-mars 2020, nga 65 masa të parashikuara në Planin e Veprimit janë realizuar 14 prej tyre, 41 janë ende në proces zbatimi, 9 masa janë të parealizuara, si dhe 1 masë e paraportuar nga institucioni përgjegjës.

Përqindja ndaj totalit të progresit të zbatimit të Planit të Veprimit 2019 –2021 është në nivelin 22% për masat të cilat janë të realizuara, 63% për masat në proces, 14% për masat të cilat do të zbatohen në vijim nga institucionet përgjegjëse, si dhe 2% për masën e paraportuar nga institucioni (Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë).

Ministria e Drejtësisë njoftoi se gjatë kryerjes së procesit të monitorimit janë evidentuar disa problematika që vlerësohen se kanë ndikuar në nivelin e zbatueshmërisë së Planit të Veprimit, i cili udhëheq Reformën në Drejtës.

Ndër elementet më të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar në realizimin e masave të parashikuara në Planin e Veprimit vlerësohet problematike përgjegjshmëria e institucioneve për të raportuar në kohë dhe me cilësi lidhur me informacionin mbi reformën.

Ministria e Drejtësisë vë në dukje se, nevojitet një bashkëpunim më i lartë i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Mosdërgimi i informacionit mbi disbursimin financiar për aktivitetet e parashikuara ndikon në pasqyrimin jo real të kostove për zbatimin e Strategjisë. Institucionet kanë raportuar se përballen me vështirësi në raportim lidhur me buxhetin e shpenzuar për realizimin e aktiviteteve të mbuluara nga donatorët.

Ministria e Drejtësisë vlerëson se duhet rritje e nivelit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies nga strukturat e brendshme të institucioneve përgjegjëse, nëpërmjet fuqizimit të koordinimit ndërinstitucional. Gjithashtu duhet të kryhet një monitorim periodik për diskutimin e gjetjeve dhe miratimit të raporteve respektive sipas afateve të përcaktuara.

Rakordimi i informacionit të marrë nga pikat e kontaktit pranë Drejtorive të Financës, të institucioneve përkatëse, përpara momentit të raportimit pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë kërkon rritje të ndërgjegjësimit të institucioneve përgjegjëse të përfshira në zbatimin e reformës, si dhe mbi rëndësinë e procesit të raportimit.

Reforma në Drejtësi është një nismë e Qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë me qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë në drejtim të profesionalizmit dhe eficencës së magjistratëve gjyqtarë e prokurorë dhe të luftës kundër korrupsionit. Reforma në Drejtësi është një reformë e thellë që prek në tërësi çdo element të sistemit aktual të drejtësisë.

Kjo reformë filloi me ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në 27 nëntor 2014.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë përgatiti një Dokument Analitik të Sistemit të Drejtësisë gjatë vitit 2015, i cili kishte si qëllim analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, duke evidentuar problematikat që prekin sistemin tonë të drejtësisë në të gjitha aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit të tij.

Më tej, problemet e identifikuara do të shërbenin si lëndë e parë për hartimin e një strategjie dhe plani veprimi në funksion të adresimit të problemeve në mënyrën më të efektshme të mundshme.
Në thelb të Reformës në Drejtësi ishte miratimi nga Kuvendi i ndryshimeve kushtetuese më 21 korrik 2016, ku nga 26 nene të Kushtetutës që i përkasin sistemit të drejtësisë, Reforma ndryshoi 21 prej tyre dhe neneve të Kushtetutës në lidhje me sistemin e drejtësisë u shtohen të paktën 23 pika të reja. Për më tepër, u shkrinë tre institucione të përcaktuara në Kushtetutë dhe u parashikua krijimi i të paktën 12 institucione të reja.

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u pasua me miratimin e paketës me Ligjet Organike, ku spikat ligji për rivlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.