Në rezervat e shtetit në fund të vitit të shkuar nuk pati asnjë kilogram grurë dhe asnjë litër ujë e karburant.

Në një raport auditi me titull “Rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit tregon se ndonëse sasia minimale rezervë e grurit duhej të ishte 300 tonë, karburantit 100 mijë litra dhe ujit 3 mijë litra, në magazina nuk kishte asnjë nga këto produkte.

Kjo do të thotë se për të përballuar emergjencat civile, kombëtare apo të çdo lloji që mund të na lindin ne duhet të kërkojmë ndihmën nga vendet e Rajonit, BE apo madje edhe SHBA”, u shpreh ekspertja Eriola Hoxha.

Ndërkohë sasia e sheqerit, orizit, makaronave dhe fasuleve të gjetura në magazina nga KLSH rezulton të jetë sa gjysma e sasisë minimale të nevojshme për t’u pasur si rezervë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit nga kontrollet e kryera nxjerr në pah gjithashtu se përveç se nuk inventarizohen, në rezervat materiale nuk kryhen analiza mbi cilësinë dhe sasinë kur produktet blihen nga furnitorët.