Ka nisur me debate seanca në Gjykatën Kushtetuese për padinë e grupit të PD për VKM-në e qeverisë për konfiskimin e pronave. Deputetët e PD kërkojnë shfuqizimin dhe deklarojnë se kjo VKM është shkelje e ligjit

“VKM është në kundërshtim me Kushtetutën. Cenon barazinë e shtetasve para ligjit”, ka deklaruar Bardhi.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e qeverisë ka nisur manovrat që kjo çështjes të mos merret në shqyrtim duke nxjerrë pretendime për numrin e deputetëve firmëtarë. Sipas saj, dy deputetë që kanë firmosur kërkesën për Kushtetuesen, Grida Duma dhe Alfred Rushaj nuk janë më deputetë, çka sjell që janë vetëm 26 deputetë firmëtarë. Por Gazment Bardhi tha se 28 firmëtarët kanë qenë deputetë kur firmosën.

“Kërkesa është paraqitur nga 28 deputetë, në momentin që është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese.

Pra 28 firmëtarët kanë qenë deputetë në momentin që kanë firmosur.

Znj. Duma dhe z. Rushaj kanë qenë deputetë kur kanë firmosur.

Me këtë logjikë i bie që nëse Presidenti i Republikës vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ai qëllon që i mbaron mandati, apo vdes, i bie që çështja të mbyllet. Nuk ka kuptim. Në momentin që kjo kërkesë është firmosur, 28 deputetët kanë pasur këtë funksion”, arsyetoi Bardhi.

Pas deklaratave Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim.