Viktimat nga koronavirusi mund të dyfishohen në të gjithë botën në fund të këtij viti. Kështu ka paralajmëruar Instituti i Vlerësimeve dhe Shëndetit (IHME), i Universitetit të Uashingtonit.

Në studimin e tij thuhet se nëse gjithçka vazhdon si deri më tani, vdekjet në të gjithë botën do të arrijnë shifrën 1,9 milionë në dhjetor 2020. Kjo do të thotë që, sipas IHME, në muajt e ardhshëm do të dyfishohen bilancet aktuale, duke e çuar shifrën në total të viktimave në 2,8 milionë.

Sipas ekspertëve amerikanë, viktimat ditore nga Covid-19 gjatë dhjetorit do të shtohen shumë, duke kapur shifrën e 30 000 personave në 24 orë.

Virologu gjerman tregon se deri kur do të bashkëjetojmë me koronavirusin

Një virolog gjerman ka paralajmëruar se njerëzit duhet të mësohen të bashkëjetojnë me koronavirusin edhe 3 vite të tjerë. Profesori Hendrik Streeck tha se publiku do të dëgjojë shpesh për shtim rastesh në zona të ndryshme të shtetit ku jetojnë deri në vitin 2023.

“Do të jemi duke luftuar me Covid-19 edhe në vitin 2023. Njerëzit duhet të mësohen me këtë”, tha virologu gjerman për “Daily Record”.

“Virusi nuk do të zhduket, është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Do të jetë me ne edhe për 3 vite të tjerë dhe ne duhet të gjejmë mënyrën për të bashkëjetuar me të. Por, është shumë e rëndësishme që të ndalojmë eventet e mëdha që krijojnë vatra infeksioni”, deklaroi Streeck.

Shkencëtari tha se vaksina mund të zbulohet, por ka dyshime mbi shpejtësinë e efikasitetit të saj: “Vaksina mund të jetë zgjidhja, por nuk e dimë ende”.