Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Europian, që synon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Departamenti i Shtetit rikujton një deklaratë të mëhershme të presidentit amerikan.

“Siç ka thënë presidenti Biden: thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellët; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, si dhe do të fuqizojë institucionet demokratike të tyre. Ajo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

Departamenti i Shtetit risjell në vëmendje edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit më 19 janar, kur tha se “vlerëson përpjekjet e administratës së presidentit Trump”, për dialogun mes  Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti i zgjedhur, siç e dini, në të kaluarën ka kaluar shumë kohë në ato vende, dhe unë mendoj se ai ndan bindjen se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar që Kosova të lëvizë përpara, gjithashtu me shpresë edhe Serbia”, tha Anthony Blinken më 19 janar.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, një marrëveshje për normalizimin e raporteve ekonomike, në prani të atëherë presidentit amerikan, Donald Trump.