Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka reaguar pas konferencës për mediat që zhvilluan sot Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së.

Këta të fundit e akuzuan mazhorancën se po synon të kalojë në mënyrë të njëanshëm dhe pa konsensus Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa treguan për mediat një model koalicionesh të njëtë me vendin tonë, të cilin sipas tyre e aplikon shteti fqinj i Italisë.

Ky konstatim i opozitës së bashkuar për Partinë Socialiste nuk është i vërtetë, dhe se modeli që ka Italia nuk ka lidhje me sistemin zgjedhor që ka aktualisht Shqipëria. Kështu të paktën argumenton në rrjetin social “Facebook” përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

“Pas 3 muaj kërkimesh të dështuara, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak orë përpara seancës parlamentare kur do të shqyrtohen dhe miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor tentojnë të hedhin hi syve të publikut. Deklarojnë se në fund të tunelit kanë “zbuluar” modelin italian. Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, modeli italian është me dy dhoma e miks, pra mazhoritar 1/3 dhe proporcional me lista të mbyllura 2/3 e vendeve. Dukshëm nuk ka lidhje me sistemin që zbaton Shqipëria, proporcionalin rajonal me lista të hapura.”, shkruan Gjiknuri.

Ai shton më tej se opozita e bashkuar po tenton t’i hedhë hi syve publikut, dhe qëllimi kryesor sipas Gjiknurit është pengimi dhe zvarritja e mëtejshme e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

“A ka njeri ta besojë se këtyre u kishte shpëtuar padashje e jashtë vëmendjes një model i një vendi mik e fqinj dhe e zbuluan ditën e fundit? Natyrisht që jo! Ata e dinë shumë mirë por thjesht duan të kryejnë tentativën e fundit të dëshpëruar për të penguar e zvarritur reflektimin e ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor dhe të lajnë duart si Ponc Pilati”, shkruan Gjiknuri.

Gjatë ditës së sotme ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se nesër në seancën plenare do të kalojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Ky qëndrim i Partisë Socialiste është kritikuar ashpër nga ana e opozitës jashtëparlamentare, e cila theksoi se z. Rama po tenton të ndryshojë rregullat në mes të lojës duke minuar konsensusin në Këshillin Politik, ndërsa u shpreh e bindur në fitoren e saj në zgjedhjet e 25 prillit 2021.