Me kërkesën amerikane, instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë për herë të parë krizën aktuale në Ukrainë. Qeveria në Uashington i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të trajtojë në një seancë të hënën krizën e Ukrainës. Kjo bëhet “për shkak të kërcënimit të qartë të paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” nga ana e Rusisë, bëri të ditur ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Këshilli i Sigurimit do të trajtojë në një seancë të hapur këtë krizë.

Rusia ka stacionuar më shumë se 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas dhe ndjek “veprime të tjera destabilizuese kundër Ukrainës”, ka thënë Thomas-Greenfield. Ky është kërcënim i qartë. Perëndimi është i shqetësuar për shkak të marshimit të trupave ruse, se Rusia po përgatit pushtimin e Ukrainës, pas pushtimit në vitin 2014 të Gadishullit të Krimesë.

Presidenti rus e hedh poshtë këtë kategorikisht. Në të njëjtën kohë ai kërkon nga SHBA dhe NATO të ndalë zgjerimin lindor si edhe ngritjen e bazave ushtarake në ish-republikat sovjetike. Nga këto konsultime nuk priten zgjidhje, sepse Rusia, ashtu si SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Kina ka të drejtë vetoje.