Kroacia është pranë anëtarësimit në zonën e lëvizjes së lirë të Shengen. Qeveritë e Bashkimit Evropian arritën në përfundimin të enjten se vendi ka përmbushur kushtet e nevojshme për zbatimin e plotë të Shengenit.

“Vendimi është hapi i parë zyrtar drejt një vendimi përfundimtar të Këshillit për zgjerimin e zonës Shengen”, tha presidenca sllovene e Bashkimit Evropian në një postim në Twitter.

Vendet që i bashkohen zonës së lëvizjes së lirë duhet të sigurojnë kufirin e jashtëm të bllokut, një temë e ndjeshme politike për shkak të migrimit që nga viti 2015.

Kritikët thonë se Kroacia ka qenë tepër e zellshme duke treguar se mund të mbrojë kufijtë e jashtëm të bllokut.

Verën e kaluar, pamjet e publikuara nga mediat evropiane që tregonin një oficer policie kroat duke rrahur emigrantët me shkop, shkaktuan zemërim.

Anëtarësimi i Kroacisë në Shengen është gjithashtu një temë e ndjeshme për Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilët kanë qenë anëtarë të BE-së që nga viti 2007 dhe ende nuk i janë bashkuar zonës së lëvizjes së lirë.

Kroacia konsiderohet një histori suksesi në rajon, në një kohë kur pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor duket se ka mbetur prapa në përpjekjen e tyre për t’u anëtarësuar në BE.

Zagrebi u bashkua me BE në 2013 dhe gjithashtu dëshiron të bëhet anëtar i eurozonës me një monedhë të vetme.

Komisioni kishte rekomanduar anëtarësimin e Kroacisë në Shengen në tetor 2019.