Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka denoncuar sot skemën e evazionit fiskal me inceneratorët. Në një bashkëbisedim me gazetarët ajo publikoi fakte te reja duke theksuar se i gjithë materiali është gati për t’u çuar në SPAK. Në kallëzimin në SPAK, Kryemadhi thotë se ka shtuar evazionin fiskal, ku sipas saj, janë 24 kompani që kanë bërë bashkëveprim financiar me kompanitë e inceneratorëve, duke bërë evazion fiskal, që është në total 189 milionë dollarë.

“Inceneratori i Tiranës; kemi 3 vaska betoni që mbushen me plehra, është një kapanon dhe një kodër dhe ajo që është e rëndësishme është që nuk ka asnjë investim që koncensionari ka bërë, siç thotë kryeministri 128 mln euro dhe qeveria ka blerë shërbimin për 20 euro tonin për të mbledhur mbetjet në Tiranë dhe ky është një angazhim që mban peng qytetarët shqiptarë. Ne kemi shtuar evazionin fiskal me kompanitë e Zotos. Kishte kryer evazion mbi 30 mln dollarë fiktive përveç konsulencave të vetvetes dhe udhëtime jashtë shtetit në kohë pandemie kur nuk kishte fluturuar asnjë avion mbi qiellin shqiptar. Janë 24 kompani që kanë bërë bashkëveprim financiar me kompanitë e inceneratorëve. Duke marrë në konsideratë faturat, evazioni total është 189 milionë dollarë. Të gjitha do t’ia depozitojmë Prokurorisë së Posaçme”.

Duke i marrë një për një kompanitë me librin e shitjeve dhe të blerjeve, sipas Kryemadhit rezulton që frutat janë shkëmbyer në inerte, ushqimet në asfalt dhe uji në beton.

“Kur vijmë te shitjet që ka bërë kjo kompani që janë 719 fatura ne do t’ia dorëzojmë SPAK-ut. Frutat janë shkëmbyer në inerte, ushqimet në asfalt dhe uji në beton. Do të thotë që pjesa më e madhe e këtyre kompanive kanë bërë blerje fiktive të ushqimeve, ujit të pijshëm dhe frutave. Çështja e këtyre kompanive shërben si lavatriçe për pastrimin e parave”.

Ajo e konsideron këtë një grup i strukturuar kriminal me mbikëqyrjen e kryeministrit Rama.

“Ky është një grup i strukturuar kriminal, sepse faturat prej miliona eurosh, pra 189 mln dollarë nuk kanë kaluar nga kompanitë e inceneratorëve në llogaritë bankare, por kanë ndenjur në bankë dhe pastaj kanë kaluar në drejtime të paditura. I gjithë sistemi ka funksionuar me mbikëqyrje nga kryeministri. Do të informoj Prokurorinë e Posaçme. Ky evazion fiskal janë para që kanë dalë nga buxheti i shtetit nëpërmjet prokurimeve publike dhe konçesioneve”.

Sipas saj “në ministrinë e Financave ekziston drejtoria e koncensioneve që kontrollon investimin e çdo koncensioni. Qeveria paguan prej 2017 një koncension të lidhur me kontratë në mënyrë të paligjshme. Kjo drejtori ka për detyrë të investojë ku janë 128 milionë euro investim”.