Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu priti në ambientet e KLSH kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasador Vincenzo Del Monaco me të cilin diskutoi rreth mundësive për një bashkëpunim të frytshëm mes palëve në kuadër të përmirësimit të punës audituese të KLSH-së.

Shehu duke e falënderuar ambasadorin për interesin e shtuar të OSBE ndaj KLSH, e informoi ambasadorin mbi punën që është kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë periudhës që ai është në krye të institucionit si dhe sfidat që e presin në të ardhmen.

Ambasadori Del Monaco, duke ofruar mbështetje dhe vëmendje të veçantë të OSBE-së, theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni kyç në garantimin dhe ruajtjen e financave publike nëpërmjet auditimeve periodike.

Del Monaco vlerësoi intensifikimin e bashkëpunimit të KLSH-së me organet ligjzbatuese dhe tha se, OSBE është gjithmonë e gatshme për të dhënë kontributin e saj, duke vendosur prioritete mbi atë çka është e dobishme për KLSH.

Shehu dhe Ambasadori Del Monaco u dakordësuan për thellim të bashkëpunimit në të ardhmen mes KLSH dhe OSBE në dobi të rritjes së kapaciteteve për përmirësimin e punën audituese të institucionit.