Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, me ftesë të Sh.T.
Humaid Obaid Abushibs, President i SAI-t, në datat 29-30 maj 2023 bëri një vizitë zyrtare pranë Institucionit Suprem të
Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryetari i KLSH-së falënderoi Presidentin Abushibs për pritjen e veçantë dhe organizimin e vizitës, si dhe i prezantoi homologut një kuadër të përgjithshëm të organizimit dhe funksionimit të institucionit të KLSH-së. Z. Shehu e vuri theksin në fjalën e tij tek rëndësia dhe vlera e shtuar që ka për KLSH-në bashkëpunimi me SAI-t homologë,në veçanti ngritja dhe thellimi i bashkëpunimit me
Institucionin Suprem të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe në fushat me interes të përbashkët,si në fushën e auditimit IT dhe të burimeve natyrore.Gjithashtu një vend të veçantë gjatë bashkëbisedimit
zuri edhe diskutimi mbi punën e vazhdueshme që bëhet në parandalimin e fenomeneve që nxisin korrupsionin nëpërmjet forcimit të kulturës së
llogaridhënies.
Presidenti Abushibs nga ana e tij e falenderoi z.Shehu për vizitën dhe shprehu besimin e plotë dhe
vlerësimet e tij për këtë bashkëpunim të ndërsjellë,
me qëllim shkëmbimin dhe të mësuarin nga eksperiencat dhe praktikat më të mira të ndërsjella.

Z. Shehu dhe Presidenti Abushibs shprehën angazhimin dhe vullnetin e plotë në thellimin e këtij partneriteti të suksesshëm që do të vijojë me ngritjen e një grupi pune të përbashkët për përcaktimin dhe identifikimin e fushave dhe hapave konkretë për bashkëpunim duke u finalizuar me
nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari i KLSH-së në këtë vizitë shoqërohej nga znj. Marjola Llanaj, Drejtor i Përgjithshëm, znj. Valbona Gaxha, Sekretar i Përgjithshëm, z. Bexhet Zeqiri, Drejtor i Drejtorisë së Standardeve dhe Sigurimit të Cilësisë në Auditim, si dhe znj. Dëshira Huqi, Përgjegjës sektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Bashkëpunimin.