Silva Bino, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP thotë se ditë e fundit ka pasur një rritjet të përhapjes së virusit. Znj. Bino theksoi se, vendi është ndarë në tre zona përcaktuar nga niveli i përhapjes së COVID-19.

Prej muajit mars kur u diagnostikuan rastet e para me COVID-19 në Shqipëri autoritetet kanë kryer rreth 140 mijë teste, nga ku janë pikasur mbi 24 mijë persona të infektuar.

Muajin e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm. Prirja e infeksionit është bërë më e lartë.

Komiteti Teknik këshilloi qeverinë që prej datës 15 tetor mbajtja e maskës të bëhej me detyrim edhe në mjediset e hapura.

Mirëpo kjo masë nuk e ka ndalur prirjen negative, pasi prej 15 tetorit janë diagnostikuar rreth 8 mijë raste të tjera me COVID-19, teksa janë shënuar edhe 120 viktima të tjera ndër pacientët e sëmurë të shtruar në spitale.

Të dhënat e përpunuara nga Euronews Albania tregojnë se nga 16.4% që ishte në periudhën 15 shtator-15 tetor, pozitiviteti ndër personat e testuar ka vajtur në 22.3% gjatë 25 ditëve të fundit, shifra këto tejet shqetësuese, pasi numri i testimeve ka ardhur duke u shtuar, por bashkë me të edhe pozitiviteti.

Këto të dhëna tregojnë se infeksioni është përhapur më shumë kohët e fundit.