Kur dëgjon për herë të parë që në një kodër të thellë të Vorës, dikur e mbushur me shkurre, sot ekziston një nga fabrikat më të kuotuara të kategorisë së vet në Europë, reagimi i parë është mosbesimi.

Por mjafton pak hulumtim për të parë listën e kompanive të mëdha të kontinentit me të cilat ka kontratat, çmimet dhe çertifikimet e shumta, tregjet ku shet produktin, për të kuptuar që bëhet fjalë për atë Shqipërinë tjetër: atë të panjohurën dhe të padukshmen e njerëzve të punës që shumë rrallë i shohim në media.

ARPI nuk prodhon për tregun shqiptar; në Shqipëri kryhet vetëm procesi i prodhimit, lënda e parë vjen nga jashtë, produkti final gjithashtu eksportohet. Fabrika operon me specialistë të huaj të piroteknikës, por me staf punëtorësh krejtësisht vendas.

Si rrallë produkte të tjerë, mban krenarisht edhe në tregun e huaj pullën e eksportit “Made In Albania”, megjithë telashet që kjo pullë i ka sjellë fillimisht. Në fund cilësia sidoqoftë ka fituar dhe pulla tashmë është pranuar edhe nga blerësit më skeptikë.

Atyre që nuk e njohin historinë e saj mund tu duket e habitshme, por fabrika është aktualisht lider në Europë, referuar kontratave dhe rankimit në kategorinë e vet. Produktet e saj piroteknike regjistrojnë nga kërkesat më të larta në kontinent për blerje dhe ekspertët e paktë të kësaj fushe në Shqipëri, të pyetur gjatë këtij investigimi, e konsiderojnë një “monument” të industrisë piroteknike shqiptare.

Investitori është një person me histori të pazakontë, sepse vjen nga një fushë krejt tjetër. Ai quhet Pjetër Pellumbi, një emër shumë i njohur në atletikën e viteve ‘80 në Shqipëri, mjeshtër i merituar i sportit dhe rekordmen kombëtar i vrapimeve të gjata.

Djali i Gjergj Pëllumbit, një burrë i urtë, ish-partizan, me profesion teknik ndërtimesh, u zbulua si talent në vrapimet e gjata nga Ali Mema dhe Ismet Bellova. Djali që dikur bënte me vrap rrugën Fushë Krujë- Tiranë për të mos humbur formën sportive (“Kush më shihte atëherë në rrugë, mendonte se isha çmendur” – kujton me nostalgji), arriti të bëhej një Abebe Bekila i Shqipërisë. Ka mbajtur deri vonë disa nga rekordet kombëtare në garat mbi 10,000 metra.

Qëndroi më shumë se një dekadë në klubin Partizani, si sportist dhe ushtarak deri në vitin 1991, më pas u detyrua të emigronte si shumë shqiptarë të tjerë për në Itali.

Pasionin për sportin nuk e braktisi. Për 15 vite radhazi kreu kurse dhe trajnime në shkencat motorike dhe punoi si pedagog i rehabilitimit fizik në Romë, ku jeton ende sot. Në njohjet e krijuara gjatë asaj periudhe i ka rrënjët edhe ideja e investimit të fabrikës piroteknike të Vorës:

“Kam punuar 16 orë në ditë, në darkë shpesh më zinte gjumi me kafshatën e ushqimit në gojë. Për të krijuar emrin dhe respektin e duhur në fushën time. Më pas u krijuan disa rrethana për investimin në piroteknikë që unë mendova ti shfrytëzoj. Në atë kohë në sektorin e piroteknikës tregu italian u mbyt nga taksat dhe konkurenca kineze. Kishte familje tregtare me gati 100 vite eksperiencë në këtë fushë që papritur falimentuan. Në këto rrethana mund të gjeje aparatura të gatshme dhe ekspertë mjeshtra me pak investim. Miqtë e mi ma këshilluan dhe unë iu futa kësaj rruge”.

Pjetër Pëllumbi erdhi në Shqipëri dhe ngriti kompaninë e prodhimeve piroteknike ARPI. Që nga viti 2005 është administrator i saj dhe ndan kohën në mes Italisë dhe Shqipërisë, duke e kthyer kodrën e humbur të Vorës në një histori suksesi.

Në foto, Pjetër Pëllumbi duke folur për DITA

Pjetri erdhi në redaksinë tonë, jo për të treguar historinë e mësipërme por për të denoncuar bllokimin e fabrikës së tij në kulmin e kërkesave për eksport. Në qendër të këtij denoncimi për pengime artificiale me qëllime korrupsioni është drejtuesi i Autoritetit të Eksporteve, Ëngjëllush Bekteshi.

Kjo nuk është një histori vetëm e ditëve të fundit. Por tashmë me sa duket ish-kampionit i ka ardhur në majë të hundës.

“Kemi 7 vjet luftë me korrupsionin e Autoritetit të Eksportit. Më saktë do ishte ta quanin të Anti-Eksportit. Dhjetëra mbyllje, rihapje e ripezullime të fabrikës, presione e shantazhe, kontrolle, grupe kontrolli e task forca, shkatërrim të mallit të çertfikuar CE, bllokim të eksportit, denoncime në polici e prokurori, duket se ky drejtor paguhet jo për ta ndihmuar por për ta demtuar biznesin” – thotë ai i pezmatuar duke nxjerrë përpara një vandak me letra e dokumente.

Më poshtë, intervista e DITA zhvilluar me zotin Pëllumbi në redaksinë e gazetës:

Zoti Pëllumbi, sa kohë ka që prodhimi ju është bllokuar dhe cila është arsyeja?

4 muaj, kjo hera e fundit. Fabrika është çertifikuar CE. Prodhimet janë testuar për cilësi në tregun europian, produktet tona të eksportit janë të stampuara Made In Albania në 21 gjuhë. Kemi mundur në konkurencë Italinë, Gjermaninë e Spanjën që janë luanët e kontinentit në këtë specialitet. Fabrika kontrollohet nga autoriteti certifikues i Këshillit të Europës, testet janë aprovuar nga Universiteti i Madridit.

Por nuk nuk arrijmë të plotesojmë kushtet e kryetarit të korrupsionit të agjensisë AKSHE në Shqipëri. Ky e mban te mbyllur prej 4 muajsh. Ja kjo është arsyeja

Është hera e parë që ARPI mbyllet?

Jo. Historia e shantazheve dhe presioneve ka filluar që me emërimin në krye të Autoritetit të Eksporteve të zotit Ëngjëllush Bekteshi, i cili na vuri gjoba të rënda. Në dhjetorin e 2015, zotëria me manovrat e tij të jashtligjeshme e mbylli fabrikën.

Vetëm ndërhyrja e vendosur e ish- Ministres së Mbrojtjes zonjës Kodheli e rihapi fabrikën, por hakmarrjen e kryetarit të AKSHE, as ministrja nuk e pengoi dot, pasi ky i përkiste një “grupimi tjeter politik” (LSI). Kjo doli nga takimi me personalitetet më të larta të Ministrise së Mbrojtjes për çështjen tonë.

Ndërhyrja e ministres vetëm sa përkeqësoi situatën. Pas kësaj ai urdhëroi shkatërrimin e mallit të certifikuar, me kosto qindra mijëra euro, gati për eksport drejt Italisë, duke na prishur përgjithmonë kontratën 5- vjeçare me shoqerinë italiane, kontratë e depozituar në AKSHE.

Mbështetja politike e këtij krimineli të biznesit përuli me radhë policinë, doganat që asistuan në shkatërrimin e mallit të eksportit, Ministrine e Financave, tatimet, inspektoriatin e punës, gjithë e gjithe sistemin shtetëror. Leksioni për ne ishte i qartë. Fitorja e korrorrupsionit mbi biznesin dhe investimet na çoi në mënyrë të detyruar drejt nënshtrimit dhe bindjes për të paguar mafien e veshur me pushtet.

Erdhi një periudhë e qetë pune, ku shoqëria me shumë sakrifica e jashtë mundësive ekonomike arriti të kënaqe pangopësine e kryetarit të AKSHE-s. Por rritja e pretendimeve financiare ndaj shoqërisë solli përsëri përplasje e kontradita.

Më në fund u kapën me një urdhër, një urdhër i përbashkët i tre ministrave nr, 661, datë 13.12.2018 (tregon faksimilen e urdhërit nga dokumentat që ka përpara). Këtu e vulosën fillimin e një tragjedie akoma më të madhe për prodhimin dhe eksportin shqiptar të piroteknikës.

Kompleksi ARPI në Vlorë

Çfarë thotë ky urdhër?

Urdhëri, më saktë një pikë e tij (ku kapen me interpretime) anullon ligjin, anullon standartet e BE, licencën e prodhimit, kartat tenologjike të Autoritetit Certifikues të Këshillit të Europës, për ne anullon komplet investimin e bërë.

Duket qartë që është gabim teknik sepse nuk rri as më përmbajtjen në tërësi të tekstit. Dhe AKSHE si autoriteti i kontrollit te standarteve te BE kishte përgjegjësinë kryesore për atë gabim teknik në atë urdhër. Por në vend të marrjes së përgjegjësive dhe korrigjimit në ndihmë të biznesit shqiptar, ata në mbështetje të këtij Urdhëri filluan raprezaljet e reja, mbyllje-hapjet e fabrikes, bllokimin e importit të lëndëve të para, bllokimin e eksporteve tona.

A e kundërshtuat ju këtë Urdhër, a vepruat në rrugë institucionale për korrigjimin e tij?

Patjetër! Por kërkesat e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes për anullimin e urdhërit për prodhimin dhe eksportin drejtuar Ministrit te Brendshem binin ne vesh te shurdher.

Edhe nderhyrjet e vazhdueshme te Ministrit te Mbrojtjes zonjes Xhacka dhe ministrit të Sipermarrjes zotit Shalsi dështuan. Si rrjedhoje, ju mohua puna qindra familjeve që mbahen me fabrikën, qindra tonelata mall i markes shqiptare ju mohua eksportit, shume kontrata u anulluan, lufta për forcimin tonë në tregun europian u sabotua, besimi i shume shoqerive tek ne pësoi një goditje të fortë, u dëmtua arka e shtetit e shumë pasoja te tjera.

Që ta kuptojnë mirë lexuesit, dy ministri i janë drejtuar një të trete për korrigjimin e pikës së këtij Urdhëri dhe nuk ka rezultat?

Aty do dilja. Për mua mbetet i pashpjegueshëm qëndrimi i Ministrit te Brendshem zotit Lleshi, megjithe nderhyrjet e dy kolegëve të tij ministra për rastin. Dy vjet me radhe nuk pranoi te firmose anullimin e pikes së Urdhërit për prodhim-eksport, koshient se kjo pike është në kundërshtim me ligjin, me standartet e BE dhe licencen e prodhimit, koshient se po shkatërron biznesin, koshient se po i jep në dore një armë tjetër të fuqishme korrupsjonit të kryetarit të AKSHE.

Dhe AKSHE në fakt nuk e la rastin të bjerë në tokë. Me këtë rast e mbylli sërish fabrikën duke larguar punëtoret e dëshpëruar. Çfarë krimi i pashpirt dhe antinjerzor! Dhe Ministria e Brendshme tërheq kampionaturën direkt nga prodhimi për Bullgarine e Poloninë “për ta analizuar” në laborator si produkt jo konform me këtë Urdhërin.

Na denoncuan perfekt sipas rregullave të korrupsionit! Na denoncuan pse zbatojmë ligjin e Republikës së Shqipërisë që është mbi urdhërat e ministrave, pse zbatojmë standartet e BE që na detyron ligji nr.9126, pse zbatojmë licencën e prodhimit lëshuar nga vetë AKSHE, pse zbatojmë kartat teknologjike të Këshillit të Europës dhe nuk zbatojmë urdhërin e perbashket të tre ministrave shqiptarë nr.661.

Dmth AKSHE po vepron ndaj jush bazuar tek një Urdhër, që del mbi Ligjin, e saktë? Dhe megjithëse e keni bërë të qartë këtë gjë dhe dy ministri ju japin të drejtë, situata nuk zgjidhet?

Shiko, ironike është që AKSHE jo vetëm nuk njeh për zbatim Ligjin që është mbi Urdhërin, por nuk zbaton plotësisht as vetë Urdhërin që pretendon se po përdor. Disa kërkesa të Urdhërit i zbaton e disa jo, kjo sipas interesit dhe momentit.

Dua të theksoj se denoncimet tona në vend që të prodhojnë korrigjim dhe të na japin mbrojtje shtojnë këtë si hakmarrje të AKSHE. U përgatit në fshehtesi edhe VKM nr.296 dt 02.05.2019 (nxjerr një tjetër letër nga dosja) duke mashtruar Ministrine e Mbrojtjes, e me pas Kryeministrin me futjen ne fuqi të kësaj.

Është vdekjeprurëse për biznesin tonë, nuk di si ta bëj më të kuptueshme për të gjithë, por këtu ka kërkesa të parealizueshme nga askush në botë. Po ju them nga askush në botë! Përplasen me direktivën e BE dhe me cdo logjikë biznesi, janë thjesht alibi për bllokim.

Në tetor 2019 AKSHE na bllokoi për 11 ditë në doganën e Tiranës eksportin e dy kamionave tashmë të ngarkuar. Insistimi i dy Ministrave, Ministrit të Mbrojtjes, znj. Xhaçka dhe Ministrit te Sipermarrjes z. Shalsi arritën të zhbllokojnë me vështiresi eksportin drejt Italisë e Polonisë. Por për 3 muaj AKSHE mbajti të bllokuar licencën e eksportit për Gjermani duke na prishur përgjithmonë marrëdhëniet me firmën gjermane e cila nuk porositi më mall.

Na fusin dhe në denoncime për situata false për shkaqe krejt absurde me qëllim bllokimin. Psh kryetari i AKSHE sajoi një konfrontim me inxhinierin tonë kimist zotin Pëllumb Shyti. Denoncoi shoqerinë penalisht për fallsifikim firme të një formulari burokratik, një shkresë e shpikur nga vetë kryetari I AKSHE vetëm për ne, e pavlefshme ligjërisht, pa asnje domethënie, që gjithsesi ne e zbatojmë. Sigurisht që inxhinieri deklaroi se në këtë formular është firma e tij, por sa vlen? Denoncimi kishte për qëllim të na mbante të bllokuar, jo të provonte ndonjë firmë.

Kjo sepse në kriteret e licencave të eksportit dhe importit të lëndës së parë kërkohet certifikatë nga Prokuroria e cila kur je në procedim penal nuk lëshohet. Kështu që këta shpikin denoncime që ne të jemi nën procedim penal për një farë kohe e kësisoj të na e bëjnë të pamundur të plotësojmë këtë kriter. Çfarë veprimesh kriminale në emër të ligjit! Dhe këtë veprim kryetari i AKSHE e bëri duke shfrytezuar policinë e shtetit.

Me sa shohim nga dokumentat Ministria e Mbrojtjes mbas ankeses ligjore për veprim te jashtligjeshem të autoritetit AKSHE urdhëron t’ju rikthehet licenca e prodhimit të fabrikës. Ju ndërkohë keni denoncuar rastin në disa media. Aktualisht çfarë po ndodh?

Denoncimet në media, gazeta e TV jo vetem që nuk u konsideruan, por përgjigja ndaj nesh qe e egër, pezullim i licencës së prodhimit, pastaj kur pritej hapja u vendos heqja perfundimtare e licencës së prodhimit.

Denoncimet vazhdojnë publikisht, denoncohet publikisht AKSHE, punonjësit kërkojnë ndihmë në mbrojtje të ligjeve, i drejtohen ministrit Lleshi, më datë 10.11.2020, Kryeministrit dhe Parlamentit të Shqiperise, rezultati asnjë përgjigje.

30 dite sot që flasim që kamioni për eksport për Itali gjindet i bllokuar në doganën e Tiranës, konteineri me lëndën e parë të ardhur nga India prej 20 ditësh gjendet i bllokuar në doganën e Qafë Thanës, çfarë mund të them unë më shumë. I vetmi zyrtar që detyron edhe vetë Kryeministrin të hajë fjalën e dhënë duke mbetur “për merita” akoma kryetar i AKSHE-s edhe në qeverinë Rama 2 është ky drejtori i paprekshëm, Ëngjëllushi./DITA