Kryeministri Edi Rama bëri edhe njëherë thirrje në Forumin e Prespës për dialog që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të mos presin më BE-në për të hapur dyert e anëtarësimit, por të nisin bashkëpunimin në kuadër të mini-Shengenit për të përmirësuar jetën dhe ekonominë e rajonit.

Sipas kreut të qeverisë, vendet e rajonit duhet të vijojnë me reformat e nevojshme për në Unionin Europian dhe shtoi se ato nuk i pengon asgjë për të bërë tregti të lirë apo të lejojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Edi Rama shtoi se ndonëse mes shumë vendeve në rajonin tonë ka konflikte është e mira që ato të zgjidhen me dialog dhe pa pengesa.

“Ne nuk e zgjodhëm këtë rrugë për asgjë tjetër përveç vullnetit tonë. Kjo është rruga e vetme për ne. Këtu nuk bëhet fjalë për paketimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dërgimin në BE. Bëhet fjalë për funksionimin e vendeve tona. A do jemi pjesë e BE? Nuk është në dorën tonë. Nuk jemi ne ata që vendosim. Megjithatë ne mund të bëjmë shumë punë. Ne mund të bashkëpunojmë në rajon që të përmirësojmë ekonomitë tona, për krijimin e hapësirës më të madhe për sipërmarrësit tanë, të rinjtë tanë.

Të izoluar dhe me shpinë drejt rajonit jemi të vegjël, por të bashkuar jemi në masë të mjaftueshme të mëdhenj. Ne mundemi që me veprimet tona t’ua lehtësojmë jetën njerëzve që jetojnë këtu. Pse duhet të presim vendet anëtare që të bëjmë tregti në këtë rajon? Pse duhet të presim BE për të lejuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, të hapim kufijtë. Ne mund ta bëjmë këtë gjë. Duhet të vijojmë të ecim në këtë drejtim. Ne kemi konflikte në rajon që duhet të zgjidhen.

Vëllezërit tanë grekë aktrojnë se kanë ardhur përpara këtu para të gjithë të tjerëve, ndërsa ne të tjerët jemi pasardhës të tyre. Ne aktrojmë se jemi të njëjtë. Maqedonasit e veriut dhe madje bullgarët aktrojnë se të gjithë jemi të lidhur me prezencën e tyre të parë në këtë rajon. Pashë një boks të mirë me fjalë mes Albinit (Kurti) dhe Anës (Ana Brnabić), por ata janë prapë këtu”, u shpreh Rama.