Isaac Herzog është zgjedhur presidenti i Izraelit. Parlamenti i vendit, Knesset me 120 vende ka votuar me 87 vota pro Herzog. Ky i fundit pason në detyrë Reuven Rivlin që lë detyrën muajin tjetër pas shtatë viteve në detyrë.

Herzog është një politikan veteran që rrjedh nga një familje e njohur i cili ka drejtuar dikur Partinë e Punës që ishte rivali kryesor i Beniamin Netanyahut në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

I ati i tij, Chaim Herzog ka mbajtur ndër të tjera detyrën e ambasadorit të Izraelit në OKB, përpara sesa të zgjidhej president i gjashtë i Izraelit në vitet 1983-1993.

Xhaxhai i tij, Abba Eban ka qenë ministri i parë i Jashtëm i Izraelit, kurse gjyshi, kryerabini i parë në shtetin në fjalë. Ai ka kryer detyrën e drejtuesit të Agjencisë Hebreje, një organizatë që punon ngushtësisht me qeverinë për të promovuar imigrimin në Izrael.

Kjo detyrë ndër të tjera i ka dhënë Herzogut lidhje të forta me establishmentin politik që ka zgjedhur në krye të vendit një njeri që mesa duket është i të gjithëve.

Herzog deklaroi se ai do të ishte “presidenti i të gjithë izraelitëve” dhe do të punonte për të bashkuar vendin.

“Tani është koha për të ndërtuar ura”, tha ai duke shtuar se ai do të luftojë antisemitizmin dhe urrejtjen ndaj Izraelit në të gjithë botën.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e përgëzoi Herzogun në Twitter, duke i uruar të gjitha të mirat në emër të të gjithë izraelitëve.