Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Petrit Merja, me banim në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;

Kreshnik Spahiu, me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja me dhunë”, “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim në formën e organizatës kriminale;

Aleks Dani alias Aleks Tërnova alias Idajet Tërnova me banim në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.