Presidenti Ilir Meta apeloi të hënën kundër rritjes “së papërgjegjshme”, siç e cilësoi ai, të borxhit publik.

Përmes një postimi në Facebook, ku përcolli një koment të ish-deputetit Kastriot Islami, Meta theksoi se “rritja e papërgjegjshme e borxhit për qëllime korruptive, kërcënon seriozisht të ardhmen e vendit”.

“Apeloj ndaj çdo zyrtari, në çdo nivel qendror e vendor të mos firmosë kuturu, aq më tepër në këtë periudhe kritike sepse do mbajnë përgjegjësi individuale e jo ‘kolektive’,” – u shpreh Meta.

Në komentin e Islamit, që Presidenti përcolli, paralajmërohej se në vitin 2021 borxhi publik mund të shkojë “115 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.

Sipas ish-deputetit, qeveria e kryeministrit Edi Rama është justifikuar se e mori mandatin me një nivel të lartë borxhi publik, por që “e vërteta është se ai është rritur prej qeverisë aktuale”.

“Në vitin 2013 PBB ka qenë rreth 12.8 miliard euro dhe borxhi rreth 70%, që do të thotë ndryshe se borxhi ka qenë rreth 9 miliard euro. Në vitin 2020, synohet që PBB të arrijë rreth 14,1 miliardë euro, dhe borxhi 115%, që do të thotë se borxhi do të arrijë në rreth 16.2 miliardë euro…” – analizonte Islami.

Ish-deputeti thotë se qeveria e Ramës “ka rritur borxhin me rreth 7.2 miliardë euro.

“Kjo është e tmerrshme edhe njëherë një këndvështrim tjetër, ndërkohë që PBB është rritur nga 12.8 miliardë euro në 2013 në 14.1 miliardë euro në 2020, rritja e PBB ka qenë vetëm me 1.3 miliardë, kjo nxit pyetjen se nëse rritja ekonomike të ishte zero, ku kanë vajtur 7.2 miliardë eurot e marra borxh?” – shton më tutje Islami duke hedhur dyshimin se paratë e marra borxh janë shpërdoruar.