Luiza Gega triumfoi në Maratonën e 16-të e Shkupit. Në këtë garë atletja shqiptare ka thyer edhe rekordin kombëtar me më shumë se 23 minuta.

Maratona e Shkupit u mbajt në 4 tetor nën një protokoll të veçantë për mbrojtje nga COVID-19 dhe nën moton “Vrapimi do t’ju ndryshojë”.

Atletja Luiza Gega tha për Euronews Albania se maratona edhe pse nuk është lloji i garës së saj, ishte një test shumë i mirë për të matur gjendjen e saj fizike në kushtet e mungesës së aktiviteteve për shkak të pandemisë.

Ajo ndau me Euronews Albania shqetësimin se pamundësisë për t’u stërvitur në stadiumin e Elbasanit, që është një stadium me pistë vrapimi, pasi siç tha prej dy muajsh është marrë vendimi që të mos lejohet.

“Nuk jam penguar në asnjë vend të botës për t’u stërvitur si një artiste që mundohet ta pranojë vendin e saj denjësisht”, tha Luiza Gega.