9 të arrestuar por vetëm një është i dyshuari kryesor për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar në Islandë, Armando Beqiri. Bëhet fjalë për Anton Kristinn Þórarinsson, sipërmarrës dhe person me precedentë penalë, është prangosur dhe po mbahet në ambientet e paraburgimit edhe pse mohon gjithçka.

Anton Kristinn është i vetmi islandez i prangosur teksa ndodhej në shtëpinë e tij të pushimit. Vetëm pak kohë më parë, ai u raportua nga Policia si “boss droge”, i cili merrte persona nga Lituania dhe i kthente në besnikët e tij. Megjithatë nuk u dënua kurrë për shkak se nuk kishte prova.

Mediat vendase kanë publikuar një mesazh të dërguar nga Kristinn në Facebook, por nuk dihet se cili është marrësi. Nga mesazhi kërcënues që është dërguar, dyshohet se bëhet fjalë për Armandon, megjithatë mbetet për t’u zbuluar nga hetimet.

“Unë dua dhe fal gjithçka, por kjo kurrë nuk do të kompensojë dëmin që më ke shkaktuar. Ndodhi dy herë, unë thjesht ia vlen të bëj keq, shihemi në botën tjetër, mbase mund të fillosh nga e para,”-thuhet në mesazh. (përkthyer nga islandishtja.)

Beqiri u vra pak minuta para mesnatës së të shtunës, pasi parkoi makinën e tij në garazh, dhe po i drejtohej derës kryesore të banesës ku e priste gruaja shtatzënë dhe me fëmijën 15 muajsh. Nga pas iu afrua një makinë, nga e cila një person e qëlloi me pesë plumba në qafë dhe kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Deri më tani për vrasjen e tij janë prangosur 9 persona, mes tyre një grua, por ende nuk ka një emër.