Nëse po mendoni të blini një banesë, kjo është koha e duhur. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë lehtësuar kushtet për marrjen e një kredie hipotekore, teksa gjatë tremujorit të dytë të vitit shqiptarët kanë rritur ndjeshëm kërkesën për të blerë banesa. Ky interes përkon me përmirësimin e treguesve ekonomikë, që ka zbutur edhe pasiguritë e qytetarëve për të bërë investime afatgjata.

Kjo kërkesë e shtuar ka rritur konkurrencën në sistemin bankar, që së bashku me perceptimin për rrezik të ulët kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kreditimit. Këto lehtësi konsistojnë në uljen e kërkesës për kolateral, shtimin e madhësisë së kredisë dhe zgjatjen e maturitetit. Që do të thotë se mund të kërkosh një shumë më të madhe kredie me më pak kolateral, të cilën mund ta shlyesh më gjatë në kohë me një interes më të ulët.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë për blerje banesash, zbriti në 3.44% në fund të Majit, duke iu afruar normave të para pandemisë.

Bankat presin që kërkesa e lartë për kredi për shtëpi të vazhdojë edhe në periudhën Korrik-Shtator, diçka që mund të ndikojë në lehtësimin e mëtejshëm të kushteve në favor të individëve.