Pasditen e të hënës, pak para skadencës zyrtare për dorëzimin e listave në KQZ, socialistët do të mbledhin Kryesinë e partisë së tyre, për të finalizuar listën e kandidatëve për deputetë. Prurjet e reja duket se kanë detyruar edhe shumë spostime, sidomos në Qarkun e Tiranës, ku disa deputetë do të lëvizin drejt qarqeve të tjera, ndërsa ka nga ata që kanë preferuar të largohen.

Një prej këtyre të fundit është Sadi Vorpsi, i cili pas 4 vitesh si deputet i PS, ka njoftuar se nuk do të garojë më. “Kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë te familja ime dhe në angazhime të tjera private”, shkruan Vorpsi në Facebook.

Sipas televizionit A2, ish-prefektit të Tiranës i ishte propozuar një vend në pozicionet e poshtme të listës së Tiranës, larg zonës së sigurt.

Duke vlerësuar punën e bërë deri tani nga qeveria, Vorpsi premtoi se do të jetë gjithsesi aktiv në fushatën zgjedhore. “Kam shijuar çdo moment përfaqësimin e komuniteteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 prillit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë”.