Drejtoresha e shkollës ‘Jeronim de Rada’ në Tiranë ka uruar nxënësit në ditën e fundit të shkollës për këtë vit.

Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të shkollës në Facebook, drejtoresha Entela Alushi, ajo i këshillon nxënësit që gjatë periudhës së pushimeve të argëtohen dhe në kohën e lirë të lexojnë, të dëgjojnë muzikë e të merren me sport.

“Të dashur nxënësit e mrekullueshëm të “Jeronim De Radës”, sot është dita e fundit e shkollës për ju. Nga sot, ju do te jeni më të lirë nga detyrat dhe angazhimet shkollore, dhe do të keni mundësinë të shijoni me shumicë e pa kokëçarje çdo gjë të bukur që ju ofron mosha. Ishte edhe ky një vit i vështirë për ju, por ju jeni aq të zotë sa arritët ta kaloni me sukses edhe këtë periudhë. Tani përkushtojuni lojërave e aktiviteteve që ju bëjnë të ndjeheni të lumtur dhe kur të keni pak kohë të lirë, mos harroni të lexoni diçka të bukur, të dëgjoni muzikë e të bëni sport. Bashkë do të takohemi në shtator, dhe ju premtoj që do të jemi pranë jush në çdo hap që do të hidhni, në çdo arritje e fitore, në çdo problem që do të keni.”­ – shkruan ajo.

Më tej Alushi u drejtohet në mesazhin e saj edhe prindërve të nxënësve për ndihmën e pakursyer ndaj fëmijëve por edhe stafit pedagogji të shkollës.

“Të dashur prindër të përkushtuar të fëmijëve tanë, unë ju falenderoj nga zemra për fëmijët që keni rritur, për ndihmën e pakursyer kundrejt tyre dhe stafit pedagogjik dhe ju premtoj se do të jemi sërish bashkë në shtator për të bërë realitet çdo gjë që nuk arritëm këtë vit, apo për të realizuar gjëra edhe më të bukura për fëmijët tuaj.” – vijon mesazhi i drejtoreshës.

Në fund, Alushi përgëzon mësuesit për vështirësitë e kaluara në dy vitet e fundit ndërsa i falënderon për punën e bërë prej tyre në formimin e edukimin e fëmijëve.

“Të dashur mësues, Jemi të gjithë të vetëdijshëm për vështirësitë që kemi kaluar këto dy vite shkollore dhe jam falenderuese për punën tuaj të palodhur në drejtim të formimit të fëmijëve, në çdo klasë, një për një. Do të jemi sërish bashkë në shtator më forca të reja për të vazhduar misionin tonë fisnik dhe padyshim me shpresën që të arrijmë të nxjerrim nga bankat e shkollave Njerëz të edukuar, kulturuar e me dije. Jam e lumtur për rrugëtimin tonë së bashku dhe premtoj së do të jem e përkushtuar çdo ditë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shkollës sonë “Jeronim De Rada”.  Kalofshi pushime të bukura, Drejtoresha e shkollës, Entela Alushi.” – mbyll mesazhi i Alushit.