Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se vendi ka aktualisht parametrat më të mirë historikë në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Ai foli për ulje të kriminalitetit në përgjithësi dhe për minimum historik të kultivimit dhe trafikimit të drogërave.

Lleshaj u thirr këtë të hënë në një interpelancë urgjente kërkuar nga deputetët e opozitës parlamentare. Pyetjet e interpelancës u parashtruan nga deputeti, Korab Lita. Lita tha se kishte kërkuar shpjegimet e ministrit të Brendshëm për shkak të gjendjes së rëndë në sigurinë publike dhe në kultivimin e hashashit.

“Qeveria nuk e pranon, por pandemia është një e keqe që i ka rënë të gjithë botës dhe qeveria shqiptare po e shfrytëzon për të fshehur problemet dhe sfidat e rënda që ka vendi. Sot, i gjithë vendi është shndërruar në një Lazarat”, tha ai.

Deputeti i opozitës parlamentare hodhi dyshime se operacionet kundër kultivimit të hashashit po shfrytëzohen për qëllime elektorale, ashtu sikundër edhe shoqëria shtetërore e sigurisë fizike, “Illyrian Guard”.

Ministri Lleshaj hodhi poshtë të gjitha akuzat. Në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e hashashit, ai iu referua shifrave të kapura nga autoritetet italiane.

“Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të hashashit ka shënuar rezultatet më të larta në 3 dekadat e fundit në Shqipëri. Janë 106 hetime proaktive që janë zhvilluar nga policia këtë vit. Janë asgjësuar më shumë bimë se një vit më parë, sepse ka pasur shumë më tepër kontrolle dhe hetime. Treguesi kryesor që mat se sa hashash ka sot, vërtetohet nga sasitë që kapen në tregjet tradicionale në Itali dhe Greqi. Për 2020 italia ka kapur vetëm 911 kg kanabis me origjinë nga Shqipëria, shifrat janë në nivelet më të ulta në Greqi dhe Mal të Zi. Kjo është dëshmi se niveli i prodhimit dhe trafikimit të hashashit është minimumi historik”, tha ministri.

Lleshaj hodhi poshtë edhe pretendimin se “Illyrian Guard” po përdoret për të punësuar njerëz për qëllime elektorale, ndërsa në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar kujtoi “Operacionin Forca e Ligjit”.

“OFL ka vazhduar punën dhe janë referuar në SPAK 1381 pasuri të dyshuara si të gjeneruara nga krimi, duke përcjellë një mesazh të madh ndaj botës së krimit në Shqipëri. Unë besoj se edhe ky operacion do të finalizohet me konfiskime”, deklaroi ai.