Përfshirja qoftë e Vangjel Dules, qoftë e Shpëtim Idrizit në listat zgjedhore të sigurta të LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit është thuajse i pamundur, jo se kësaj partie i mungon vullneti politik për të shtuar mbështetjen në elektorat, por thjeshtë se nuk ka mundësi që t’u plotësojë kërkesat që kanë.

Burime nga Lëvizja Socialiste për Integrim thonë se kërkesat e aleatëve të vegjël opozitarë mund të cenojnë identitetin dhe vetë ekzistencën e LSI-së në disa qarqe. Si shembull, nëse LSI do të vendoste që të përfshinte Vangjel Dulen në listën e vet në Qarkun e Vlorës, do të duhej ta vendosë në krye të saj, që ai ta kishte vendin e sigurtë, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të 2017-ës, ku kjo parti mori vetëm një mandat në këtë qark.

“Kjo do të thotë se një deputet që do të dilte nga sigla e LSI-së, në të vërtetë në Parlament nuk do të ishte i LSI-së”, thonë burimet.

E njëjta gjë vlen edhe për Shpëtim Idrizin. Burimet thonë se prej muajsh kjo forcë ka studiuar mundësinë e përfshirjes së emrave nga partitë e vogla aleate opozitare në listat e saj dhe në përfundim të analizave ka dalë në përfundimin se nuk mund t’u garantojë atyre vendet e sigurta në Parlament pa cenuar identitetin e partisë dhe ngjallur pakënaqësi në bazë.

Ndërkohë, sa u takon pritshmërive nga 25 prilli, burimet  thonë se objektivi kryesor është ruajtja e numrit të mandateve të 2017-ës, pra marrja e të paktën 19 mandateve, që me gjasë këtë herë do ta bënin këtë parti vendimtare për përcaktimin e qeverisjes pas këtyre zgjedhjeve.

Sa u takon listave, edhe vetë Vangjel Dule e ka përjashtuar tërthorazi përfshirjen e emrit të tij tek LSI. Gjatë një interviste dhënë për Top Channel ai nënkuptoi se është në bisedime vetëm me Partinë Demokratike. Si zgjidhje për “përplasjen” me Shpëtim Idrizin, Dule tha se po shikohet mundësia që ai vetë të kandidojë në listën e sigurtë të PD-së në Qarkun e Korçës, duke shmangur kështu përplasjen në fushatë në Vlorë me PDIU-në.