Shqiptari Aristidh Papa, viktima e së dielës në Athinë, ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe botën e krimit. Ai njihej shkurtimisht si Aris, ndërkohë që mediat greke kanë përllogaritur që i riu të jetë viktima e 13-të si pasojë e një lufte të ftohë mes bandave shqiptare që kanë nisur në Athinë që prej vitit 2007.

Në fakt siç është bërë e ditur më herët, ndaj Papës ka pasur disa tentativa për ta vrarë. Më e fundit, më 26 Shkurt të vitit të kaluar. Por atentati i 30 Majit do të ishte fatali e që do t’i merrte jetën. Ngjarja ndodhi në Sepolia ndërsa vrasësi u largua i qetë me një taksi.

Ajo që kanë bërë mediat greke është publikimi i emrave të grupit tjetër kriminal shqiptar që kërkonin ekzekutimin e Papës. Mësohet se kjo bandë drejtohej nga një 38-vjeçar i quajtur Mili, me zëvendësuesit e tij Dorian, Ladi dhe Fredi si dhe 4 persona të tjerë. Dy prej tyre morën pjesë në tentativën e tretë për vrasjen e Arisit në Larissa.

Ata u arrestuan më pas. Mësohet se një prej autorëve përplasi një oficer policie në përpjekje që të largohej.

Tentativa vrasjeje, trafik droge, furnizim me armë… këto ishin një pjesë e vogël e aktivitetit të tyre kriminal. Anëtarët e grupit kriminal u arrestuan në Atika dhe Korinth, ndërsa një 32-vjeçar shqiptar u identifikua dhe u shpall në kërkim.

Pamje nga vendi i ngjarjes

Hetimet policore kanë zbuluar se drejtuesi i grupit Mili dhe Doriani, i cili është personi i shpallur në kërkim, janë organizatorët e një tjetër atentati ndaj shqiptarit Papa. Ata kishin përgatitur një skenar ku do ta ekzekutonin Papën përmes bashkëpunëtorit të tyre 30-vjeçar të quajtur Landi. Por në këtë rast, ata e plagosën Papën në këmbë. Ngjarja ndodhi pranë stacionit të policisë në Larissa, ndërkohë që po udhëtonin në një taksi. Pistoletën e lanë aty dhe u zhdukën, duke lënë shoferin të shokuar. Mili ishte përfshirë në një ndjekje nga policia greke, derisa i gjetën një kallashnikov në makinë. Nga hetimet u zbuluan disa raste vjedhje makinash si dhe shpërndarje droge.

Ndërkohë viktima e 30 Majit në Athinë është një prej drejtuesve të bandës kundërshtare shqiptare. Mësohet se në shkurt, Aristidh Papa është arrestuar teksa lëvizte me një skateboard elektrik. Me vete i riu kishte një sasi droge, një pistoletë, por ajo që bëri përshtypje ishte fakti se mbante veshur një jelek antiplumb. Ai është akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje dhe trafik droge. Lufta e përgjakshme mes shqiptarëve në Athinë ka lënë bashkë me të 13 viktima dhe ka plagosur 10 të tjerë.

“Atë ose të ëmën”

Media të tjera greke bëjnë të ditur se Aris Papa ishte shënjestër e grupit kriminal kundërshtar. Sipas dëshmisë së një zyrtari burgu, në maj të vitit 2019, një prej kundërshtarëve të tij ka kërkuar ekzekutimin e tij të menjëhershëm. Ai ka kërcënuar asokohe se nëse nuk do të vritej Papa, plumbat do të derdheshin mbi të ëmën e tij.

E ëma e Aristidh Papës pasi mori vesh lajmin për vdekjen e të birit

Grupet janë shumë të dhunshme. Vrasjet i kanë kryer në mes të rrugës, në mes të ditës ose në vende të mbushura plot me njerëz. Prandaj, siç shkruan Tanea, nuk janë të pakta rastet kur për shkak të këtyre ngjarjeve janë plagosur edhe njerëz të pafajshëm vetëm për faktin se ndodheshin në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.