Viti 2021 ishte viti i shkëlqimit të industrisë së kriptomonedhave, pjesë e së cilës u bë dhe Shqipëria. Rrugëtimi i nisur që në 2020-n, kur pandemia krijoi strehë për tregjet virutale, punën, blerjet dhe financat

Gjatë këtij viti, vlera e tregut të kriptomonedhave arriti për herë të parën shifrën e 3 trilionë dollarëve,  ku më shumë se 1 trilion, i përkiste Bitcoin. Kripto më e famshme në botë, që brenda 12 muajve u ngrit dhe ra në nivele maksimale të vlerës dhe “dinjitetit”.

Pas mbështetjes së vazhdueshme nga influencer, biznese dhe investitorë, Bitcoin kaloi 60 mijë dollarë për 1 kriptomonedhë dhe ra me rreth 50% nga një status i vetëm i Elon Musk, një ndër investitorët më të mëdhenj, gjatë muajit maj.

Musk më herët e kishte pranuar Bitcoin si formë pagese në kompaninë e tij Tesla, por më vonë ai deklaroi se kompania do të hiqte dorë nga kjo kriptomonedhë për shkak të ndikimit negative që ka në mjedis, konsumi i madh i energjisë dhe nxjerrja e karbonit në natyrë.

Spekulatorët e tregut të kriptove thanë se kjo ishte një strategji e Musk për të rritur vlerën e kriptos së tij që ai e kishte krijuar në formën e një shakaje, Dogecoin. Gjë që ndodhi. Dogecoin, një monedhë e frymëzuar nga një qen, shkoi nga pothuajse 1 dollarë, në 7 dollarë në pak orë.

Bitcoin ishte në rënie të përditshme, ndikuar dhe nga goditjet rregullatore që mori në Kinë, ku qeveria kineze ndaloi çdo akivitet të prodhimit dhe tregtimit të kriptove në tërësi. Kjo i dha hapësirë kriptomonedhave të tjera alternative.

Etherum, që momentalisht është në vlerën e 4.000 dollarëve, pati një vit të suksesshëm, me luhatje të vogla të vlerës së saj, lidhur kjo me qendrueshmërinë dhe sigurinë që ka regjistri në të cilin është krijuar monedha. Çdo transaksion në Ethereum është i gjurmueshëm dhe i kontrolluar duke ulur rrezikun e mashtrimeve dhe hakerimeve.

El Salvador u bë vendi i parë në botë që e ktheu Bitcoin në një kurs ligjor valutor duke përshtatur dhe minierat ku ato prodhohen me ndihmën e energjisë së dalë nga vullkani.

Bankat Qendrore nëpër botë bashkë me paralajmërimet mbi rrezikun e industrisë së kriptomonedhave në aktivitetet kriminale dhe pastrimin e parave, lajmëruan digjitalizimin e monedhave kombëtare. Banka Federale në SHBA, Banka e Britanisë dhe Banka Qendrore Europiane, kanë publikuar planet e tyre për dollarin, paundin dhe euron digjitale. Në pamundësi për të eleminuar tregun e kriptove, autoritetet zgjodhën të bëhen pjesë e saj.

Si një vend konservator i parasë së thatë, Shqipëria u përshtat tepër mirë në rrjetin e monedhave digjitale, nga kalimi i ligjit dhe rregullatores për funksionimin e tyre deri në krijimin e Albcoin, kriptomonedha e parë shqiptare.

Për më tepër gjatë gjithë 2021-shit, në Shqipëri janë zbuluar disa pajisje të prodhimit të kriptomonedhave dhe strukturave të përshtatura për këtë proces, duke treguar se përveç se në rrjetin virtual shqiptarët ishin tashmë dhe në rrjetin fizik të kriptovalutave.

Shqipëria, gjjithashtu u bë një ndër vendet e para në Europë që miratoi rregulloren e tregut të kriptove si mjete financiare. Sipas rregullores  që fuqizohet në vitin 2022, një individ i iteresuar për të blerë, shitur dhe këmbyer monedha digjitale duhet të kërkojë ndihmën e një ndërmjetësi që do të jetë një subjekt i licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, sipas 3 kategorive të parashikuara.

Autoritetet financiare në vendin tonë kanë shprehur herë pas here nevojën që ka Shqipëria për të kontrolluar dhe monitoruar këtë lloj tregu, duke paralajmëruar mbi rrezikun që mbartin, përfshirë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ish-ministren e Financave, Anila Denaj.

Pak kohë më parë, burime treguan se në Shqipëri kriptovalutat janë përdorur për pastrim parash ku vetë pikat që pritet të licensohen i bëjnë kalimet informalisht.

Kontrolli i tregut të kriptove shpeshherë nuk është mbështetur nga investitorët duke thënë se ideja e de-fi, financave të decentralizuara, është pavarësia nga autoritetet dhe se një dorë e fshehtë do të ulte përgjithmonë vlerën e tyre.

Mbështetës të kësaj ideje, thonë se një autoritetet rregullator do të fiksonte çmimin e kriptomonedhave dhe nuk do të ekzistonte më paqëndrueshmëria e tyre.

Për vitin e ardhshëm, monedhat digjitale e kanë rrugën të hapur dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi tjetër përveç se të rriten në vlerë. Kanadaja synon që t’i bëjë ato pjesë e titujve sekondarë qeveritarë, ku njësoj siç investon në një obligacion mund të investosh në një portofol kripto, por me më shumë rrezik.

Bill Barhydt, drejtuesi i platformës së këmbimit të monedhave digjitale, Abra, tha se në 2022-shin Bitcoin mund të kapë vlerën e 100.000 dollarëve.

Ekonomistët e kanë krahasuar shpesh Bitcoin me arin, duke nënkuptuar një aset me shumë vlerë, por digjital dhe të rrezikshëm.