Një zhvillim i papritur bëhet me dije mëngjesin e kësaj të enjteje. Gjykata e Posaçme ka thirrur prej orës 08.30 të mëngjesit të sotëm kreun e PD Lulzim Basha për t’u paraqitur në ambientet e këtij institucioni.

Burime për mediat bëjnë me dije se kreu i PD është thirrur për t’ë dhënë shpjegimet e tij për seancën e parë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Lulzim Basha ka paditur më herët Veliajn për akuza që lidhen me shpifjen dhe abuzimin me paratë e tërmetit dhe pandemisë. Çështja penale i kaloi për kompetencë Gjykatës së Posaçme, e cila sot ka vendosur që të mbajë seancën e parë dhe të thërrasë kreun e PD për akuzat.

Media mëson se prej disa minutash, Lulzim Basha ka shkuar në ambientet e GJKKO.

Screenshot 5 36
Lulzim Basha del nga Gjykata e Posaçme

Sot, në Gjykatën e Posaçme është mbajtur seanca e pajtimit dhe të dyja palët janë shprehur për vazhdimin e seancave gjyqësore, pasi nuk ka vend për pajtim. Lulzim Basha ka qenë vetë i pranishëm dhe ka dhënë shpjegim e tij, ndërsa kryebashkiaku Veliaj është përfaqësuar nga avokati.

“Zoti Basha erdhi vetë dhe dha shpjegimet e tij. Zoti Veliaj kishte përfaqësues por nuk erdhi vetë. U bë seanca gjyqësore. Në mënyrë unanime u vendos që nuk ka pajtim dhe do vazhdojnë seancat. Seanca e radhës do të jetë në 24 shtator”, u shpreh avokati i kreut të PD Lulzim Basha.

Në tetor 2020, kreu i PD paditi Veliajn në Gjykatën e Tiranës, duke argumentuar se kryebashkiaku si drejtues i fushatës së PS për kryeqytetin, ka bërë 3 akuza konkrete që lidhen me pasurinë e Bashës, akuza të cilat sipas PD janë bërë me qëllim që t’i dëmtojnë imazhin kryedemokratit.