Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka thënë homologut rus Vladimir Putin se po bënte “një gabim të madh” në Ukrainë, po mashtronte veten për caktimin e qeverisë së Kievit dhe gjithashtu i ka thënë se lufta do t’i kushtonte Rusisë shumë.

Një zyrtar francez që zbardhi bisedën mes dy presidentëve tha se Putin kishte konfirmuar vullnetin për të neutralizuar dhe çarmatosur Ukrainën, me diplomaci ose duke përdorur armët.

“Asnjë nga fjalët e Presidentit Putin nuk na dha siguri”, tha këshilltari i Presidentit francez. “Po gënjeni veten”, mësohet t’i ketë thënë Macron Putinit, sipas zyrtarit francez. “Do t’i kushtojë shtrenjtë vendit tuaj, që do të mbetet i izoluar, i dobësuar dhe nën masën e sanksioneve për një kohë shumë të gjatë”.

Pas bisedës me Putin, Macron raportohet të ketë thënë: “Më e keqja nuk ka ardhur ende, Putin dëshiron të pushtojë të gjithë Ukrainën”.

Më parë, Kremlini dha versionin e vet të bisedës së dy presidentëve. Sipas tij, Putin i ka thënë homologut francez që Rusia do t’i arrijë objektivat që i ka vënë vetes gjatë operacionit ushtarak në Ukrainë, që janë demilitarizimi dhe statusi neutral i këtij vendi. Putin gjithashtu ka thënë se përpjekjet e Kievit për të shtyrë negociatat vetëm sa do të shtonin listën e kërkesave nga ana e Moskës.

Këtë të enjte do të zhvillohet edhe raundi i dytë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, në Bjellorusi. Kërkesa minimale e Kievit është që të hapet një korridor humanitar në mënyrë që civilët të largohen nga zonat ku po zhvillohen luftime.

Ndërsa pozicioni i Rusisë nuk ka ndryshuar që nga dita e parë:

Ukraina duhet të “demilitarizohet” dhe të “denazifikohet”.

Gadishulli i Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, duhet të njihet si pjesë integrale e saj.

Dy krahinat separatiste në Ukrainë, Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donetskut, të njihen si të pavarura zyrtarisht.