Liderët botërorë kanë akuzuar Rusinë se ka rrezikuar të gjithë kontinentin, pasi forcat ruse kanë sulmuar një central bërthamor, i cili është përfshirë nga flakët.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se kanë arritur të shuajnë zjarrin, por që trupat ruse tani kanë marrë kontrollin e tij.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për gjuajtje të qëllimshme në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia.

“Ata e dinë se për çfarë po qëllojnë. Ata janë përgatitur për këtë (sulm),” tha Zelensky në një postim në Twitter.

Zelensky gjithashtu iu referua tragjedisë së Çernobilit. Për të gjithë ukrainasit, për të gjithë evropianët, për të gjithë njerëzit që e dinë fjalën “Çernobil”, e dinë sa viktima ka pasur, tha ai.

Ai gjithashtu po bëri thirrje për ndihmë urgjente në orët e para të mëngjesit të 4 marsit, derisa paralajmëroi për një fatkeqësi të mundshme bërthamore. “Evropianë, ju lutemi zgjohuni!” u lut ai.

Sulmet ruse në centralin bërthamor të Ukrainës, Zaporizhzhia janë “serioze dhe të pamatura”, të cilat duhet t’i marrë me seriozitet gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab.

Ai ka thënë se “është shumë e vështirë të besohet se sulmi nuk është bërë me dashje”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka kërkuar takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të “rritur presionin ndaj makinës së luftës së presidentit rus, Vladimir Putinit”.

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Moskës që të ndalë aktivitetet në këtë zonë, derisa kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia, duhet të ndalen menjëherë.

Zjarri ka shpërthyer në centralin bërthamor Zaporizhzhia – më i madhi në Evropë – pas sulmeve ruse.

Çfarë duhet të dini për këtë central bërthamor?

Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia në Ukrainë është më i madhi në Evropë.

Ndodhet në jug të vendit, pranë lumit Dnieper dhe ka një kapacitet total prej pothuajse 6,000 megavat – ose mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike rreth katër milionë shtëpi.

Ndërtimi i këtij centrali filloi në vitin 1979 kur Ukraina ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Janë gjashtë reaktorë të projektuar nga sovjetikët në vend, i fundit prej të cilëve u vu në punë në vitin 1995. Këta reaktorë kanë një jetëgjatësi nga 40 deri në 60 vjet.

Në kohë normale, Zaporizhzhia mund të prodhojë rreth 20% të të gjitha nevojave të Ukrainës për energji elektrike dhe gjysmën e energjisë së saj bërthamore.