Marenglen Kasmi është emëruar sot drejtor i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike pranë Akademisë së Shkencave. Ai ka lindur në vitin 1977 në Gramsh dhe është studiues i historisë moderne.

Sot drejtori i ri i QBAE-së u prezantua në Kryesinë e Akademisë dhe kryetari Skënder Gjinushi bëri të njohur kuadrin ligjor të veprimtarisë së QBAE-së dhe të drejtorit të saj. Ai foli për gjendjen e arritur dhe problemet që kërkojnë zgjidhje lidhur me projektet madhore në albanologji.

Kush është Marenglen Kasmi

Prof. asoc. Marenglen Kasmi është studiues i historisë moderne.  Ai ka lindur në vitin 1977 në Gramsh.  Studioi në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe në  vitet 1997-2000 vijoi studimet ushtarake në Gjermani.

Pas diplomimit si oficer dhe një pune trevjeçare si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” ai fitoi përsëri një të drejtë studimi dhe në vitet 2003-2008 në Gjermani dhe u diplomua me rezultate të larta për histori dhe sociologji në Universitetin “Helmut Schmidt”, Hamburg  (Magister Artium (M.A.)

Në vitin 2013 mbrojti gradën doktor i shkencave në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes (Histori Ushtarake), mbrojtur në Akademinë e Forcave të Armatosura, Tiranë. Në vitin 2021 mbrojti gradën prof. asoc. dr. në histori, Universiteti i Tiranës. Deri në vitin 2015 Kasmi ka qenë ushtarak dhe pedagog i historisë në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë.

Më pas ai vijoi të japë leksione të historisë në universitetet publike dhe private të vendit.

Kasmi është autor i shumë botimeve me vlera shkencore nga fusha e historisë së Shqipërisë. Ka marrë pjesë me referime në konferenca e sesione shkencore kombëtare e ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit si në Gjermani, Austri e në vendet fqinje.