Vëllai i Fiqiri Mjeshtrit, autori që vrau babë e bir më 12 tetor në Klos, ka deklaruar sot se kishin rreth një javë që donin të ulnin gjakrat e të gjenin një zgjidhje mbi konfliktit.

Sipas tij Kenado Shira e ka kërcënuar vajzën në rrjetet sociale me foto nudo.

“U munduam për më tepër se një javë që ti ulnim baballarët e djemtë për të marrë vesh se përse e çuan vajzën e vëllait në depresion dhe për çfarë arsye Shira e ka kërcënuar.

Vajza ka shkuar në spital në gjendje kome.

Vajzës i bëhej presion në rrjetet sociale nga Shira. E ka kërcënuar se do ta shkatërrojë duke i kërkuar foto.

Hasulla nuk i bënte presion. Kishte vetëm mesazhet dhe kishte kërkuar që ti bënte bashkë prapë. Kam shkuar për marrëveshje, ka ardhur djali i Shirës tek mua. I thashë vëllait se do të shkoja ta takoja unë djalin, se mos bënte ndonjë veprim të nxituar se do t’ia gjejmë gjuhën kësaj pune se janë fëmijë, është moshë adoleshence dhe mund të ketë gabuar.

Kur ka ardhur djali i Shirës nga Durrësi vonë në darkë, ka takuar vëllanë tim dhe më mori vëllai në telefon: Fatmir hajde se djali erdhi, çfarë ke për ti thënë. Kur shkova i dhashë dorën djalit, e pyeta për emrin, por nuk ia mbaj mend dhe i thashë mos u frikëso, mos ki frikë për asgjë, jam Fatmir Mjeshtri.

I thashë ta merrte babin në telefon dhe të shkonim tek shtëpia e tij ose tek imja të flisnim se kishim të dhëna se kishte kërcënuar vajzën. E pyeta çfarë lidhje kishte me vajzën.

Më tha se vajza i kishte bërë ftesë në Facebook dhe pas kësaj kishin folur aty. Po adresën i thashë si ia more, dhe më tha që ma dha vetë.

Ai ia kishte bllokuar adresën e i kishte shkarkuar të gjitha fotot nga adresa dhe i ka thënë: Po nuk bëre ato që të them unë, të më çosh foto nudo nga të gjitha format, unë do të hap fotot në rrjetet sociale dhe ty si femër do të të shkatërroj jetën.

Goca në atë moment ia ka mbyll telefonin nga frika dhe ai ka marrë motrën e madhe. Motrës së madhe i ka thënë që ti thotë vajzës se nëse nuk do të bënte ato që thonte ai do ta shkatërronte vajzën, do ta çonte në atë gjendje që do prishte jetën. Djali na njihte të gjithëve se ishte rritur këtu në Klos.

I është dërguar dhe një mesazh anonim djalit të vëllait tim që jeton në Angli dhe i thotë se vajza ishte lidhur me djalin e Shirës, kujdes i ka thënë se unë të kam si vëlla. Nuk i ka thënë as kush është. Nga Anglia, djali i ka thënë babait të vajzës që të kenë kujdes me vajzën”,  tha vëllai i autorit.

Mesditën e 12 tetorit Fiqiri Mjeshtri qëlloi me armë duke vrarë Kenado Shira, 17 vjeç dhe të atin Ilir Shira 46 vjeç ndërsa mbetën të plagosur Renato Hasula 14 vjeç dhe babai i tij Eglantin Hasula, 39 vjeç.