Konspiracionisti Alex Jones do të paguajë 965 milionë dollarë si dëmshpërblim, pasi pretendoi se sulmi në shkollën Sandy Hook, në vitin 2012 ishte një mashtrim.

Familjet e tetë viktimave fituan gjyqin për shpifje në Connecticut.

Familjet e viktimave dhe një agjent i FBI-së që iu përgjigj sulmit, kishin kërkuar të paktën 550 milionë dollarë në gjyqin për shpifje në Connecticut.

Ata pretenduan se keqinformimi i drejtuesit të radios së djathtë çoi në një dekadë ngacmimesh dhe kërcënimesh me vdekje.

Njëzet fëmijë dhe gjashtë të rritur u vranë në shkollën fillore Sandy Hook.

Jones, i cili themeloi faqen e internetit të ngarkuar me konspiracion dhe “Talk show Infowars”, argumentoi për vite se masakra ishte një komplot i “inskenuar” i qeverisë për të marrë armë nga amerikanët dhe se “askush nuk vdiq”.

Ai i quajti prindërit e viktimave “aktorë të krizës” dhe argumentoi se disa prej tyre nuk kanë ekzistuar kurrë, por tani ai pranon se sulmi ishte “100% i vërtetë”, por refuzoi t’u kërkonte falje familjeve të viktimave, raportoi Reuters.

Jones tha se do të apelonte vendimin, duke shtuar se ai “po luftonte Goliathin”.

Vendimi i Gjykatës u lexua të mërkurën në Waterbury, Connecticut, rreth 32 km nga vendi i të shtënave të vitit 2012, ndërsa shumë nga familjet ishin të emocionuara dhe të përlotura.

Gjyqi 3-javor u shënua nga dëshmi emocionale nga një sërë prindërish.

Vendimit të gjykatës së Connecticut i parapriu një gjyq në Teksas, në të cilin një juri vendosi që Jones dhe kompania që ai drejton duhet të paguajnë 49.3 milionë dollarë për prindërit e të vrarëve në të shtënat në Sandy Hook