Gjashtë personat që ndërruan jetë pasditen e së hënës pas një shkëmbimi me armë zjarri në Artemidë të Greqisë janë turq dhe jo shqiptarë – raportojnë mediat greke dhe Ministria jonë e Brendshme.

Sipas informacioneve nga autoritetet, viktimat posedonin kartat e identitetit franceze.

“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE”, thotë njoftimi i Ministrisë.

Fillimisht mediat greke raportuan se viktimat ishin shqiptarë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të së hënës ndërsa po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane.

Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij. Asnjë nga gjashtë viktimat nuk u gjet me precedentë penalë në Greqi.

Hetuesit mjeko-ligjorë janë në kërkim të provave për të kuptuar më shumë se si ndodhi ngjarja dhe identiteti i autorëve dhe kanë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja.

Autoritetet greke kanë bërë kërkesë për ndihmë edhe pranë Interpolit dhe po punojnë me kolegët gjermanë për të identifikuar targat.

Për momentin, policia po e trajton ngjarjen si larje hesapesh mes bandave kriminale të lidhura me drogën.