Vjeshta pritet të shënojë goditje të mëdha të SPAK-ut. Prej kohësh po përflitet se do ketë arrestime në nivele të larta të politikës. Ndërkohë Amerika ka shtuar presionin ndaj Shqipërisë, për të kapur “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit.

Këtë e përforcon më shumë vizita ‘blic’ e zyrtarit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, David Wisner në zyrën e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Në njoftimin për mediat të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, bëhet me dije se, gjatë fjalës së tij, Ministri e uroi për misionin e tij dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin për Shqipërinë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjatë takimit u diskutua thellësisht për reformën në drejtësi, mbrojtjen e demokracisë, forcimin e ekonomisë etj.

Nga ana tjetër, Wisner shprehu mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë.

“Takova z. David Wisner, të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. E urova për misionin e tij në Tiranë dhe diskutuam thellësisht për reformën në drejtësi, mbrojtjen e demokracisë, forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë”-shkruan Manja.