Nga Ilir Mborja

(Kur në Kuvendin e PD-së më 2014-n, në 1700 ndenjëset e Pallatit të Kongreseve uleshin 7500 delegatë, pse tani pas shtatë vjetësh, në Kuvendin e 11 dhjetorit të 2021, nuk u uluakan dot 5004 vetë? Këtë pyetje e kam për Jozefina Topallin që, këtë herë që nuk ishte vetë në sallën e Pallatit të Kongreseve, u kujtua të përdorë matematikën për rakordimin e numrit të “kolltukëve”, siç i shkon goja t’i quajë ajo ndenjëset, me numrin e delegatëve.)

***

Gjithë lufta me numrat e ndenjëseve bëhet për të rivalizuar me numrin e delegatëve mes mbështetësve të Berishës që u mblodhën më 11 dhjetor në “Sport Arena” dhe këtyre të 18 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve. Pra, lufta për të pretenduar shifrën të lartë bëhet sot për të rrëzuar te kundërshtarët ose mbrojtur tek të vetët atë që ata e quajnë kuorum. Butaforia me shifrat e fryra të pjesëmarrësve në kuvendet e PD-së, që nga i pari e deri tek ky i fundit që ka organizuar si kryetar i zgjedhur Lulzim Basha, në fillim të bënte vetëm për të qeshur, ndërsa tani, është kthyer në të vetmin “kalë beteje” për t’ia vështirësuar seriozisht sigurimin e kuorumit kundërshtarit. Të dy palët, por sidomos Berisha, po e vuan shumë këto ditë hiperbolën qesharake të delegatëve në kuvendet e beniaminit të tij të dikurshëm Lulzim Basha… Po ç’është kuorumi?

Nga Fjalori i famshëm Merriam-Webster mësojmë se kuptimi thelbësor i kuorumit (kuorumi | \ ˈkwȯr-əm \) është minimumi i njerëzve që duhet të jenë të pranishëm në një mbledhje për të marrë vendime.  P.sh.: Na duhen pesë persona për të krijuar kuorum. Përkufizimi i plotë i kuorumit është si më poshtë:

1: një grup i zgjedhur. 

2: numri (si p.sh. shumica) e zyrtarëve ose anëtarëve të një organi që, kur mblidhet me mënyrën e duhur, është ligjërisht kompetent për të kryer biznes. 

3: një trup mormon që përfshin sa i përkasin të njëjtës klasë të priftërisë.

Kuorumi ka një histori ligjore. Në latinisht, quorum do të thotë “prej kujt” dhe është vetë gjinorja shumës e qui, që do të thotë “kush”. Në një kohë, kuorumi latin përdorej për të formuar komisionet e krijuara për gjyqtarët e paqtimit në Angli. Në anglisht, kuorumi fillimisht i referohej numrit të gjyqtarëve të paqtimit që duhej të ishin të pranishëm për të krijuar një trupë ligjërisht të mjaftueshme. Ky kuptim tani është i rrallë, por nuk është për t’u habitur që kuorumi ka arritur të nënkuptojë si “një grup të zgjedhur” dhe “minimumin e njerëzve të nevojshëm për të kryer një punë”. 

Siç mund të vini re, në shpjegim e mësipërm përmenden “gjyqtarët e paqtimit” që s’janë tjetër, veç se gjyqtarët e gjyqit të shkallës së parë, që nënkupton mundësinë e zgjidhjes me ndërmjetësinë e tyre në mënyrë paqësore të një konflikti për çështje civile (jo penale). Pra fjala “luftë” është krejt pa vend kur flitet për kourum. Në Angli kështu, ndërsa tek ne, po e shohim si po zgjidhet ky budallallëk kolektiv i demokratikasve, që mesa i kam ndjekur, më rezulton se ka nisur së paku qysh më 2014-n…

Çudinë time për “mrekullinë” që si u ulën 7500 veta në 2500 karrige (aq, 2500 e dija unë atëherë dhe jo 1700 kolltukë sa thotë Jozefina për të njëjtën sallë) e shpreha që më 30.09.2014 në gazetën Shekulli kur botova shkrimin “Lumturia, mjerimi dhe “mrekullitë” e Lulzim Bashës”

(http://shekulli.com.al/56809/).

Ndërsa, kur Jemin Gjana, Kryetar i Komisionit të Kuvendit të 18 dhjetorit deklaroi se në Pallatit të Kongreseve ishin 5004 delegatë,

duke dhënë këtë lajm “në bazë të të dhënave që dispononte”, donte të dëshmonte se Kuvendi kishte shumicën e delegatëve.

“Nga të dhënat e regjistrimeve në të 14 komisionet e verifikimit të mandateve të delegatëve, sekretariati më ka dorëzuar të dhënat e pjesëmarrjes. Kuvendi Kombëtar ka gjithsej 7646 anëtarë, nga të cilët, sipas prezencës së nënshkruar prej secilit të delegatëve, janë të pranishëm në kuvendin e datës 18 Dhjetor 5004 delegatë. Nuk janë numra, por emra, firma, identitete” – deklaroi Gjana. Pra, sipas tij, Kuvendi i 18 dhjetorit e kishte kuorumin e nevojshëm…

Por nuk ishte e këtij mendimi Jozefina Topalli, ish Kryetarja e dikurshme e Kuvendit. Po atë ditë, me anë të një postimi në facebook, ajo shkruante me ironi ndaj Bashës këto rreshta:

“Matematicieni im!

Interesant

Lb i dalin 5004 “delegate” edhe pse ne salle nuk ka me shume se 1700 vete. I bie qe ne nje kolltuk rrijne 3 vete!

Gjithmone i dalin me shume vota se delegate.

Njelloj i dolen edhe ne 2018

Neser do ju tregojme letrat tha LB.

Hhah ” 

***

Në shkrimin  e 2014-s, analizova vetëm dy fjalitë e para të fjalimit të Lulzim Bashës që ishin: “Jam i lumtur që jam me ju sot, në kuvendin më të madh dhe më demokratik të historisë së kombit tonë. Kam nderin të përshëndes mbi 7500 delegatë”. Kaq mjaftonte sipas meje të përqeshja një rrenë që s’hahesh assesi për 7500 delegatët të ulur në një sallë, që unë, ndryshe nga Jozefina sot që thotë 1700, e dija se kishte 2500 ndenjëse. Pyetjes naive se, ku do të uleshin katër të pestat e njerëzve të ftuar në atë sallë(?), Lulzim Basha iu përgjigj duke e shpjeguar me shembullin: “si tek anglosaksonët”(!). Këtë shembull Lulzim Basha do duhej tua tregonte tani Berishës dhe berishistëve. Fjalori anglosakson që shpjegon kuorumin, në dy fjali përmend dy herë togfjalëshin “gjyqtarët e paqtimit”, ndërsa në betejën për kuorumin e PD-së, fjala paqe nuk ndjehet gjëkundi. As në Foltoret e Berishës, as në oborrin e SHQUP-it… Gjer më tani, veç britmave të mitingashëve, kur flitet për kuorum, në vend të gjyqtarëve të paqit dëgjojmë për ca bravo me muskuj të fortë përballë ca bravave të ndërruara nga ca bravaxhinj hileqarë. Tani që i ka pjellë belaja me kuorumin dhe bravat, edhe Lulin, edhe ata që u ngazëllyen atëherë nga rrena e tij me 7500 delegatë, historia thërriti në skenë matematicienët. Kur ishin brenda në sallën e atij kongresi, madje në podium, “matematicienia” Jozefina Topalli nuk i vuri re si ishin ulur “nga katër e pesë veta” në një ndenjëse. Sot çuditet se si u ulën 5004 vetë në 1700 ndenjëse…

Ja, ashtu. siç u ulën atëherë ata 7500 delegatët në Kuvendin e 2014-s. Kur u ulën atëherë 7500, pse, tani, pas shtatë vjetësh, në Kuvendin e 11 dhjetorit të 2021, po në të njëjtën sallë, nuk mund të ulen 5004 vetë? Madje ulen e teprojnë. Bëj pak hesap moj “matematicienia” ime, sa bëjnë 7500 – 5004? Po 2496 delegatë që të teprojnë, ku do t’i ulësh tani?

Apo do ta bësh si ai prifti që, duke u folur besimtarëve për mrekullitë e shenjtit, bëri një lapsus dhe gabimisht tha të kundërtën e asaj që duhej: “me dymijë bukë ngopi dy njerëz”.

“Uratë e the gabim. Duhej thënë ndryshe” – i pëshpëriti në vesh ndihmësi.

“S‘ka problem. E korrigjoj nesër” – iu përgjigj po me zë të ulët prifti. Dhe të nesërmen e tregoi përpara të njëjtëve dëgjues: “Shenjti ia doli që të ngopë dymijë njerëz me dy bukë”… Por njerëzit përsëri nuk shprehën aspak habi. Kur ai i pyeti për këtë, ata iu përgjigjën: “Uratë! Ne nuk u habitëm se ishin bukët që tepruan dje”…

Kështu edhe puna e 5004 delegatëve në sallën me 1700 kolltukët e Jozefinës më 18 dhjetor 2021 dhe e 7500 delegatëve të Lulzim Bashës atëherë më 2014-n. Nuk ka ndodhur asnjë mrekulli as atëherë dhe as ndonjë çudi e madhe së fundmi. Vetëm se “matematicienia” jonë, kur merret me  kuorumin e kolltukëve, harron dhe ngatërron historinë me fizikën…