Gleard Gusholli, 31-vjeçari i cili mbajti peng në banesë dhe dhunoi bashkëjetuesen e tij 28 vjeçare, u njoh këtë të martë në gjykatën e Tiranës me masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërsa, dy vëllezërit, Bledi dhe Erlin Kateshi, Besmir Nurçellari dhe ish-futbollisti Arjan Sheta u liruan nën masën e detyrimit për paraqitje, pasi ndaj tyre rëndonin akuzat e moskallëzimit të krimit dhe dhënies ndihmë të autorit të dhunës.

Në seancën me dyer të mbyllura, prokuroria tha se ndaj 31-vjeçarit janë ngritur akuzat e dhunës në familje, nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit për vrasje si dhe heqje të paligjshme të lirisë. Akuza për Gushollin u ashpërsua sepse në fillim ai u akuzua për plagosje, por për shkak të marrëdhënieve të bashkëjetesës, prokuroria tha se duhet të përgjigjej për dhunë në familje.

Avokati i Gushollit pretendoi se i mbrojturi prej tij prej gjashtë muajsh përdorte antidepresantë, e për këtë shkak nuk ka qenë tërësisht i ndërgjegjshëm në veprimet e tij. Mbrojtësi arsyeton gjithashtu se edhe vajza e ka dhunuar Gushollin nën efektin e lëndëve narkotike. 28-vjeçarja ka shpjeguar për policinë se nën kërcënim e shantazh është detyruar edhe të konsumojë lëndë narkotike, pasi nuk kishte rrugëdalje.