Të marrësh vesh se çfarë po ndodh deri në këto momente në stadiumin Air Albania është e pamundur! Është një situatë paradoksale duke parë numrin e lartë të mediave informative dhe të gazetarëve që janë në transmetim live dhe vrapojnë mes militantësh dhe delegatësh të kuptojnë: Sa Delegatë të PD-së janë prezent?

Të vetmet shifra i ofron PD e Berishës dhe media e familjes së tij. Gjithë mediat e tjera janë në kaos verifikimi dhe mjaftohen me skemën që është ofruar nga organizatorët dhe nga shifrat e tyre. Një ekran i madh projekton numrin e delegatëve që Berisha dhe të tijët pretendojnë se janë ata. Asnjë vëzhgues i paanshëm as nga partitë motra të PPE, ku PD aderon.

Asnjë mundësi për të verifikuar nëse ata që projektohen si numër delegatësh janë realisht delegatë dhe kartat e tyre të identitetit janë të përsonave që janë në stadium. Njerëzit që kanë akuzuar përherë “manipulime” të zgjedhjeve, sot po organizojnë situatën më kaotike të trasparencës në një betejë kaq të rëndësishme brenda partisë më të madhe në opozitë.

Sigurisht, siç jemi mësuar, forumi i “Foltores” do ta arrijë kuorumin e dëshiruar për të bërë atë që ëndërron dhe ndoshta si në 1996 do të ketë më shumë vota se sa votues, por asnjë gazetar, deri më tani, nuk është lejuar të jetë në vijën e parë të verifikimit të numrave që po shpallen dhe të dokumenteve të tyre.

Në epokën e teknologjisë, celularëve, skenave të luksit e projektorëve megagalaktikë, errësira ka rënë pikërisht aty, perdet janë të rënda dhe të patejdukshme pikërisht në informacionin që përbën diferencën: A janë vërtetë delegatë ata që do të votojnë? A ka me të vërtetë Berisha shumicën e PD-së me vete? Deri në momentin që kjo gjë të kuptohet qartë, nën dritë të diellit, të telekamerave, mund të themi se Berisha dhe ndjekësit e tij, po gatuan atë që ka ditur e di ta bëjë mirë: mjegull, mungesë informacioni e transparence për të parë e kuptuar mirë.