Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar mbylljen e shkollës “Mehmet Akif”. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati ka akuzuar Kryeministrin Rama në lidhje me këtë rast teksa ka thënë se ky vendim është marrë nga jashtë Shqipërisë.

“Sot, në këtë paraqitje para jush, dua të dënoj edhe njëherë, me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët, të Edi Ramës ndaj shkollave, ndaj arsimit privat në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, që e cilëson Shqipërinë ku mund të urdhërojë hapje e mbyllje shkollash dhe xhamish, ka urdhëruar mbylljen e një kolegji me parametrat më të mirë dhe me një histori 26-vjeçare në Shqipëri, kolegjit ‘Mehmet Akif’.

Në traditën e tij të gënjeshtrave, Rama u tha shqiptarëve se shkaku i mbylljes ishte se miku i tij, me avionin e të cilit udhëton si taksi, ka blerë godinën.

Gënjeshtar i lindur, i shpifur. Të na thotë pak, kopshtit me 255 nxënës, të gjithë të afërt me moshën e djalit të tij, çfarë kishe me kopshtin, që mbylle?

A e di ky njeri se ata vogëlushë, ditën pas çerdhes familjare, e kalonin në këtë çerdhe, me njëri-tjetrin, ku mësonin, gëzonin, festonin me njëri-tjetrin. Prisnin të nesërmen për të shkuar me kënaqësi në kopsht. Ky gënjeshtar i lindur, që për të zbatuar urdhrat e verbra të presidentit të Turqisë, shkel çdo kod etik dhe moral në vendin e tij”, tha Berisha.

Berisha iu ka bërë thirrje të gjithë gjimnazistëve që të ju bashkohen protestës së nxënësve të shkollës “Mehmet Akif” të cilët po protestojnë kundër mbylljes së këtij institucioni arsimor.

“Unë u bëj thirrje gjimnazistëve të Tiranës, të bashkohen me nxënësit e kolegjit ‘Mehmet Akif’. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të mbështesin protestën e tyre, sepse kjo përbën një shkelje flagrante të lirisë së shkollimit.

Ky është një vendim i marrë jashtë Shqipërie. Një vendim i turpshëm, një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta.

Si mundet kryetari i qeverisë të një vendi, me urdhër të një presidenti të një vendi tjetër, t’u vërë çelësin kopshtit dhe shkollave të vendit?

E dënoj me forcën më të madhe këtë vendim, antidemokratik dhe antishqiptar, të një njeriu, unë e kam të lehtë të them i kapur nga Sinan Idrizi, por jo, ai është vetëm një pion në këtë skenar të turpshëm, që nuk ndodh në asnjë vend, ndodh vetëm në republikën e mafies së Edi Ramës.

Edhe njëherë, solidariteti im i plotë me nxënësit dhe vogëlushët e kopshtit, viktima të një njeriu, të një gënjeshtari, mund t’i vësh çdo epitet, që nuk njeh as ligj e as moral”, tha Berisha.