Edhe pse në një moment një numër i madh i përdoruesve dukej se po linin rrjetin social Facebook, si një anije që po fundosej, raportet financiare tregojnë një situatë krejtësisht të ndryshme, shkruan Engadget. Kështu, jo vetëm që Facebook-u krijoi të ardhura në tremujorin e fundit, por ato të ardhura rezultuan në fitime të mëdha që i lejuan të zhvillohej dhe përparonte më tej.

Bojkoti i reklamave në Facebook ishte aq i fortë në një moment, sa shumë menduan se rrjeti social do të dështonte pa ndihmën dhe paratë e tyre. Sidoqoftë, në fitimet e raportuara për tremujorin e dytë të vitit 2020, rezultatet konfirmojnë se Facebook është më se i aftë të neutralizojë ndikimin financiar të më shumë se një mijë reklamuesve që kanë hequr dorë përkohësisht nga reklamat.

Rritje e konsiderueshme e të ardhurave

Kompania fitoi më shumë se 18.3 miliardë dollarë në tremujorin e dytë të vitit 2020, me 10 përqind krahasuar me një vit më parë. Në një njoftim për shtyp, kompania vuri në dukje se të ardhurat u rritën 10 përqind gjatë tre javëve të para të korrikut, kështu që pritet rritje gjatë gushtit, si dhe përgjatë tremujorit të tretë. Mark Zuckerberg tha se gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi janë vetëm një pjesë e vogël e përmbajtjes në Facebook, dhe se ata nuk përfitojnë prej saj.

Për sa i përket numrit të përdoruesve, Facebook po tregon një trend të konsiderueshëm të rritjes; numri i përdoruesve aktivë të përditshëm është rritur në 1.79 miliardë, që është 11 përqind më shumë sesa në vitin 2019.