Koalicioni i djathtë i Italisë, ka befasuar tregjet financiare, duke njoftuar një taksë “të papritur” prej 40 për qind mbi fitimet bankare, të krijuara nga normat më të larta të interesit, duke bërë që aksionet e institucioneve huadhënëse të vendit të bien.

Aksionet në Intesa Sanpaolo dhe UniCredit, dy bankat më të mëdha të vendit, ranë përkatësisht 8 për qind dhe 6.5 për qind, pasi Italia njoftoi taksën të hënën mbrëma, duke thënë se do të përdorte 2 miliardë euro, për të financuar lehtësi financiare për familjet e goditura nga normat më të larta të interesit.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka qenë kritike ndaj bankave, për dështimin e kalimit të rritjes së normave të interesit te kursimtarët e vegjël, edhe pse ata rrisin normat e kreditimit.

Taksa prej 40 për qind, së bashku me një mori masash të tjera të minutës së fundit, do të zbatohet për të ardhurat neto nga interesi, të krijuara nga ndryshimi midis normave të kredisë dhe depozitave të bankave.

Banka Qendrore Europiane, ka rritur normat me 4.25 pikë përqindjeje që nga vera e kaluar, duke rritur normën bazë të depozitave nga minus 0.5 për qind, në 3.75 për qind.

Taksa e njëhershme, që duhet të paguhet deri në fund të qershorit 2024, do të zbatohet vetëm nëse të ardhurat neto nga interesi të një banke, në vitin 2022, tejkalojnë nivelin e regjistruar në vitin 2021. Masa duhet të sigurojë miratimin parlamentar brenda 60 ditëve, për të hyrë në fuqi.

Megjithatë, kishte paqartësi rreth specifikimeve të sakta të taksës. Disa analistë të bankave, llogaritën se mund të mblidhte shumë më tepër se vlerësimi zyrtar prej 2 miliardë euro.

Duke shtuar pasigurinë dhe duke sinjalizuar thyerje në koalicionin qeverisës, ministri i financave Giancarlo Giorgetti, nuk mori pjesë në mbledhjen e kabinetit.

Pesë bankat më të mëdha të Italisë, kanë raportuar fitime totale prej 10.5 miliardë euro, në gjysmën e parë të 2023, 64 për qind më shumë se një vit më parë, sipas agjencisë së vlerësimit DBRS Morningstar. Performanca ishte rritur nga interesi neto më i lartë, tarifat neto elastike dhe kontrolli i fortë i kostos.

Bankat ka të ngjarë t’i rezistojnë masës prapavepruese, duke rezultuar në beteja të hidhura, ndërsa qeveria përpiqet të sigurojë mbështetjen parlamentare, thanë analistët.

Matteo Salvini, zëvendëskryeministri, tha në një konferencë për shtyp se taksa ishte “llogjike”. Shumat e mbledhura do të financojnë masa të tilla, si shkurtimet e taksave dhe subvencionet për hipotekat për blerësit e shtëpive për herë të parë, tha ai, duke synuar të ndihmojë familjet dhe bizneset e goditura nga rritja e normave të interesit.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, i bëri thirrje

BQE-së muajin e kaluar, që të ndalojë rritjen e normave të interesit, duke thënë se normat më të larta, po i ngarkonin huamarrësit, ndërkohë që nuk arrinin të frenonin inflacionin.

Pothuajse 1 milion familje italiane, nuk arritën tëbënin pagesat për këstet e kredive dhe hipotekave në mars, në total prej 14.9 miliardë euro, pasi rritja e normave të interesit sforcoi financat e familjeve, sipas shoqatës kombëtare të bankierëve Fabi.

Fabi tha se huamarrësve, që morën një hipotekë 30-vjeçare, me një normë interesi të ndryshueshme në vitin 2021, u ishin dyfishuar pagesat mujore.

Lëvizja e Italisë, ka jehonë të vendimit të qeverisë spanjolle vitin e kaluar, për të vendosur një taksë të papritur mbi fitimet bankare, për të financuar iniciativat e qeverisë, për të ndihmuar konsumatorët e goditur nga kriza e kostos së jetesës.

The Financial Times