Presidenti Ilir Meta ka dekoruar regjisorin dhe kineastin e shquar Dhimitër Anagnosti me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në 85-vjetorin e tij të lindjes.

“Në vlerësim të personalitetit gjenial, i cili dominoi në mënyrë të pamohueshme me veprat e tij të jashtëzakonshme historinë e kinematografisë shqiptare, duke e lartësuar dhe përfaqësuar atë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit. Me mirënjohje ndaj mjeshtrit të artit filmik, i cili u dhuroi artdashësve shqiptarë dhe të huaj shpirtin e vet autentik, duke krijuar një sërë kryeveprash filmike, që do të shkëlqejnë në çdo epokë”, është motivacioni i këtij dekorimi.

“Emri dhe vepra juaj i nderuar, zoti Anagnosti, si kineast, regjisor, skenarist e shkrimtar, por edhe si krijues mendimtar, dedikuar me gjithë përkushtimin e qenies tuaj popullit dhe Atdheut, është sot për të gjithë ne frymëzim. Vepra juaj do të jetë edhe për gjeneratat e ardhshme, metaforë emblematike e historisë së artit kinematografik shqiptar, referenca dhe modeli i një brezi krijuesish idealistë e patriotë, që i bëni nder artit dhe kulturës tonë kombëtare.

Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit.

Me kontributin, përkushtimin dhe talentin e madh, z.Anagnosti na ka dhuruar vepra, që kanë shënjuar kulme të cilësisë artistike dhe që kanë përjetësuar mjeshtërisht njeriun shqiptar, jetën, shpirtin dhe historinë e tij.

Filmat tuaj, edhe pse të krijuar në një kohë e në një kontekst historik të caktuar, jo vetëm që nuk janë peng i kohës, por falë vizionit e talentit tuaj, janë përherë në kohë, duke i paraprirë asaj”, tha presidenti Meta.