Nga Jeton PRIZRENI

 

(Kryeministri i Republikës së Shqipërisë duhet të kuptojë se interesat e Kosovës sovrane nuk mund të kalojnë përmes një France historikisht filosllave, një shtet i verbër ndaj vuajtjeve dhe masakrave mbi popullin shqiptar të Kosovës)

Në Samitin e zhvilluar në piramidën e Enver Hoxhës në ditëlindjen e tij më 16 tetor, Edi Rama gjeti rast dhe sulmoi Kosovën, “gabimi” i vetëm i së cilës është reciprociteti që kërkon me Serbinë dhe mbrojtja legjitime e kufijve të saj shtetërorë.
Duke përdorur deklaratën e Presidentit Makron, se “Kosovës do t’i vendosej sërish regjimi i vizave nëse nuk vijonte dialogun me Serbinë”, Rama tradhtoi edhe njëherë Kosovën, njësoj si padroni i munguar i Piramidës, frankofili Enver Hoxha.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë duhet të kuptojë se interesat e Kosovës sovrane nuk mund të kalojnë përmes një France historikisht filosllave, një shtet i verbër ndaj vuajtjeve dhe masakrave mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Shqipëria duhet të qëndrojë krah Kosovës, duke mos u verbuar nga dëshira për të qenë në një linjë me politikën e ndryshueshme të Bashkimit Europian.
Ajo çfarë pa gjithë bota në 24 shtator, nuk ishte Kosova që sulmonte Serbinë, por një grup i armatosur e i mbeshtetur nga Serbia, i përgatitur për luftë civile në veriun e Kosovës.
Përgjigjja e shtetit më të ri në Ballkan nuk ishte përtej proporcionalitetit. Policia kosovare nuk sulmoi asnjë civil serb, nuk shpërnguli me forcë serbët e Banjckës, nuk dogji Manastirin ku fshiheshin paramilitarët serbë, siç kërkonte plani ogurzi i miratuar në bodrumet e Beogradit.
Ndaj dhe një rikthim në tavolinën e bisedimeve pa një mea culpa dhe mbajtje përgjegjësish të plota nga Beogradi, ishte përulje përpara së keqes dhe kundër interesit kombëtar të shqiptarëve në rajon. Kosova është Shqipëri po aq sa Tropoja, Korça, Vlora e Kukësi. Kësisoj nuk mund të ketë asnjë mbajtje hatri kundrejt çdo lloj aleati, kur Kosova digjet nga serbët dhe filosllavët e vjetër…