Nga Zija VUKAJ

Ideja për pikturën, realizuar në studio, i erdhi piktorit Manet, sipas tregimit të Prustit, nga shëtitja në një prej lagjeve të shembura e të ringritura të “boulevards” të baronit Haussmann. Artistit i pati bërë përshtypje një grua që po dilte nga një kabaré e thjeshtë, duke ngritur fustanin e duke mbajtur një kitarë. I kërkoi këngëtares të pozonte për të, por pas refuzimit tërhoqi Victorine Meurent, modelen e preferuar të kohës së tij.
Motivit të frymëzimit fillestar, Manet i ka shtuar natyrën e qetë, të vogël e të shkëlqyer të qershive brenda një qeseje letre të hapur nga e cila Victorine, me një shikim të lodhur e të përhumbur në boshllëk i çon në gojë. Pas supeve të saj, përtej një porte të gjelbër, shquhet brendësia e tymtë e lokalit. Telajoja luan mbi harmoninë e ngjyrave të ulëta, tokësore, të pasuruara nga e verdha dhe e kuqja e natyrës së qetë dhe nga profilizimi i zi i xhaketës së protagonistes. Manet zgjodhi të pikturonte në madhësinë natyrale një subjekt popullor, duke u këshilluar me staturën e një portreti zyrtar, rrethanë që me siguri tërhoqi ndaj tij dashakeqësinë e kritikës.
Artisti e kishte lënë rrugën e drejtë, ku kishte hyrë me “Kitaristin”: Mantz ngulmonte se në pikturën “e ashpër e të mbrapshtë“, format humbisnin; përkundrazi, Zola, në 1867, lavdëronte tonalitetin “e ëmbël e të verdhë“, duke çmuar pikërisht cilësinë plastike të veprës dhe rreptësinë e saj. Kjo cilësi e fundit e irritonte kritikën tradicionaliste, që vinte re tek piktura një paraqitje vulgare, jo të përmbajtur të patetizmit tipik të skenave të ngjashme bashkëkohore. Zola vërejti me mprehtësi se Manet i trajtonte figurat e veta në të njëjtën mënyrë me natyrën e qetë, duke i kushtuar më shumë vëmendje lojës së formave dhe të ngjyrave, se sa shpirtit të personazheve të vet. Në fakt piktori, më shumë se nga kthesat shoqërore, tërhiqej nga studimi i cilësive formale të veprës, i ndikuar mbase nga figurat dydimensionale, të transformuara në forma, të stampave japoneze.