Kryeministri Edi Rama tha se mbledhja e qeverisë ku është marrë vendimi për inceneratorin e Elbasanit, ishte një mbledhje normale, për të cilën ai i qëndron të gjitha vendimeve.

Gjatë seancës së dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor për inceneratorët, Rama tha edhe një herë se përgjegjësia për secilin në çdo çështje penale, është individuale.

“Mbledhja e qeverisë ku merret vendimi është procesi i fundit i akteve ligjore, që fillon nga sektori bazë, kalon në gjithë ato filtra, dhe vjen tek unë. Prandaj iu thashë, kryeministri është, shumë thjesht, “Ku do të shkojmë, pse do ta bëjmë”. “Si do ta bëjmë?”, është puna gjithë mekanizmit. Nga pikëpamja e atyre përgjegjësive individuale, përpara ligjit, për të cilat, organi i hetimit identifikon shkelje, është diçka që i takon secilit, nuk është pjesë e procesit vendimmarrës së qeverisë. Pushteti është i keq shumë, tundon të madh e të vogël”, tha Rama.

“Duke qenë se më keni akuzuar si kreun e një organizate kriminale, qëndrimi im para jush është heroikisht i sjellshëm. Pse duhet të mbaj mend unë mbledhje qeverie, ku nuk kanë asnjë ngjarje. Për ju mund të jetë ngjarje e rëndësishme, por për mua është gjë normale. Unë i qëndroj pikë për pikë atij vendimi dhe gjithçkaje që kanë thënë ministrat. Mos më cito sipas qejfit. Unë të thashë që pyetja “a e mban mend mbledhjen e qeverisë?” nuk bën sens. Mos më ofendoni inteligjencën”.

Kryeministri Rama foli në Komisionin Hetimor dhe për arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Sipas Ramës, Lefter Koka është akuzuar për korrupsion që ai ka kryer me palën tjetër dhe jo për ndonjë vendim qeverie.

“Ish-ministri nuk është i akuzuar për ndonjë vendim qeverie apo për aferë qeverie. Ai është nën akuzë për korrupsion që ai ka kryer me palën tjetër. Lidhja mes mbledhjeve vendimeve, funksionimit të zinxhirit me akuzën e ish-ministrit nuk ka lidhje. Ajo është një akuzë që duhet të vërtetohet. Por kjo nuk do të thotë që plehrat nuk janë pastruar apo impiantet nuk janë ndërtuar”, u shpreh Rama.