Kryeministri Rama pranoi në Komisionin Hetimor se ndërtimi i inceneratorëve nuk është i preferuar nga Bashkimi Europian dhe kjo gjë është raportuar dhe në raportet e fundit.

Kreu i qeverisë sqaroi se në Shqipëri nuk janë ndërtuar inceneratorë, por impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë, sipas të gjitha standardeve.

Pjesë nga debati

Rama: Nëse do të më nxirrni jashtë çështjes, do ju përgjigjem si të doni ju. Mos m’u drejto me 3 emra se më trefishin përgjigjen. Nëse doni të eksportoni debatet që keni muaj të tërë që eksportoni bëjeni, por jeni në shkelje të ligjit dhe nuk i shërbejnë komisionit.

Tabaku: Nuk po flas për njerëz rruge, për ministrin tuaj, zv/kryeministrin tuaj, sekretarin. Ju kërkoj të fokusohemi te çështja. A jeni në dijeni se me vendimin për ndërtimin e inceneratorëve jeni në kundërshtim me rekomandimet e BE dhe kjo është shkruar dhe në 3 progres raportet e fundit?

Rama: Fjalën aferë e përmendët ju. Përshtypjet tuaja janë pa interes për mua. Kur flas mos më ndërprisni. Është një arenë ku publiku na shikon dhe na gjykon. Deri tani nuk më keni pyetur për asnjë vendim qeverie. Nuk e di ku jam shmangur. Deri tani më ke pyetur që njëri njeh njërin dhe të tre kanë shkuar atje. Dhe përgjegjësitë e liderit i lemë për herë tjetër, pasi do ishte një temë e parehatshme për ju. Kthehemi tek pyetje. BE nuk është kundër.

BE ka shprehu shqetësim sepse nuk është zgjedhja më e preferuar. BE flet për nivelin e ulët të ndarjes në burim të mbetjeve dhe riciklimit sepse këto janë preferencat e BE. Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, por impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë, incenerimi është pjesë e këtij, procesi. Inceneratorët ishin impiante të viteve ’70 që e digjnin produktin dhe nuk prodhonin energji. Është e vërtetë që për BE nuk është e preferuar pasi riciklon masivisht.

Tabaku: A është Alqi Bllako, i cili përmes babait të tij, ka përfituar rreth 150 mijë dollarë, një pronar përfitues për këtë koncesion?

Rama: Ju sapo shkelët ligjin. Ju nuk keni faktuar asgjë në këtë komision, ju keni krijuar një opinion tuajin, të cilin mbajeni për vete.

Tabaku: A është Arben Ahmetaj një mik i afërt me 3 përfituesit e inceneratorëve, një nga pronarët përfitues?

Rama: E di që Big Brother ka krijuar një audiencë shumë të madhe, por se kush është miku i kujt, se kush fle me kë, se kush zgjohet me kë, nuk janë të parashikuara në dispozitat kushtetuese të rolit të kryeministrit. Si kryeministër, kjo është jashtë kompetencave të mia që të informohem dhe të studioj miqësitë e secilit prej jush. Si dëshmitar, mendoj se sërish po shkelni ligjin. Si zoti Rama, jam i painteresuar se çfarë bëjnë të tjerët dhe kam refuzuar të jap llogari se çfarë bëj vet në jetën private.