Pas daljes nga presidenca, ku ishte i ftuar nga presidenti Ilir Meta për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet e pjesshme lokale, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se zgjedhjet duhet të ishin mbajtur më herët.

“Ishte një takim konsultativ lidhur me vankacat prej shumë kohësh në 6 bashki të vendit. Dua të them atë që i thash dhe Presidentit të Republikës që ky institucion duhet ta kishte ushtruar detyrën e tij kushtetuese dhe ligjore. Duhet të fillonte që nga vakanca e bashkisë së Shkodrës që në vitin 2019 dhe më pas në të gjitha rastet.

Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar në të gjitha bashkitë brenda afatit 45-ditor. Për ne nuk ka asnjë datë, pasi data është e përcaktuar nga ligji dhe kushtetuta. Nga Presidenti jemi informuar që zgjedhjet mund të zhvillohen në datën 6 Mars.

Ajo që dua t’iu them është që shkeljet kushtetuese të konstatua në këto dy vite duhet të mos kishin ndodhur, zgjedhjet të mos ishin zhvilluar. Në këtë moment të gjithë biem dakord që ne kemi qenë në anën e duhur të historisë dhe në marrëdhënies me Kushtetutën, ndërsa Presidenti ka qenë kundër”, tha Balla.