Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një konferencë për shtyp ku ka sqaruar procedurat e ndjekura në lidhje me financimin e rrugës Vlorë-Orikum, për të cilën u akuzua të hënën nga kryeministri Rama se e ka bllokuar.

Meta deklaroi se financimi i rrugës Vlorë-Orikum ishte parashikuar të bëhej nga qeveria duke transferuar fondet e një huaje të marrë nga Fondi Saudit për rrugën e Lumit e Vlorës.

Sipas presidentit, qeveria i ka kërkuar një vit më parë Fondit Saudit, zgjidhjen e marrëveshjes së huasë, e cila ishte lidhur 3 vite më parë, dhe ka vendosur të kalojë këto fonde për rrugën Vlorë-Orikum.

Por kjo procedurë sipas Metës është anti-kushtetuese pasi qeveria nuk ka kërkuar leje për të zhvilluar negociata në lidhjen e marrëveshjes së dytë.

Meta publikoi korrespondencën me Ministrinë e Financave, kur pranohet nga ana e saj se nuk janë zhvilluar negociata për financimin e këtij projekti, e si rrjedhojë nuk ka qenë i nevojshëm sipas tyre autorizimi i presidentit.

Por Meta ka cituar edhe fjalët e kryeministrit Rama të hënën në Vlorë ku ai thotë se negociatat janë bërë.

Meta akuzoi qeverinë se në këtë çështje, së pari ka gënjyer Kuvendin për projektin e Lumit të Vlorës, për të cilin u mor fillimisht huaja. Së dyti, presidenti akuzoi kryeministrin Rama se ka shkelur Kushtetutën duke zhvilluar negociata pa autorizimin e presidentit për plotfuqinë.

“Të gjitha rrugët janë në shkelje të Kushtetutës dhe vihet në dyshim mbrojta e interesave qytetarëve pasi janë ata që paguajnë për çdo hua. Kjo marrëveshje është negociuar në keqbesim dhe në bazë të ligjit. Ka vënë në dyshim seriozitetin e shtetit pasi ka mbajtur peng huanë për tre vjet dhe më pas ka ndryshuar destinacion për interesa të tjera”

Në fund, Meta tha se akuzat e drejtuara ndaj tij nga Rama bëhen për propagandë politike duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve.